Rusia rikthen “ferrin” në Ukrainë, sulme me dronë në të gjithë vendin!

23/03/2023 08:44

Në kohë  që lideri i Kinës Xi Jinping largohej nga Moska në fundin e vizitës dy ditore atje, me premtimin të thellonte lidhjet me Vladimir Putinin por duke dështuar të prodhojë rezultate konkrete për planin kinez të paqes, Rusia nisi një fushatë të re sulmesh vdekjeprurëse në rajonin e Kievit në Ukrainë, duke përdorur atje dronë Shahed të prodhimit Iranian.

Të paktën nëntë vetë humbën jetën sipas autoriteteve vendase. Shumë të tjerë u plagosën kur raketat goditën dy konvikte të një kolegji në Rzhyshchiv, rreth 64 kilometra në jug të kryeqytetit.  Një person u shpëtua nga vendi i ngjarjes ndërsa 4 të tjerë besohet të jenë të bllokuar nën rrënoja. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhduan gjatë gjithës natës, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Raketat goditën edhe dy ndërtesa banimi në qytetin juglindor të Zaporizhjas, ku u regjistrua një viktimë ndërsa gati 30 persona u dërguan në spital. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u shpreh se kjo tregoi qartë që Moska nuk është e interesuar për paqe.

“Më shumë se 20 dronë vrasës iranianë, si dhe raketa, granatime të shumta. Dhe, kjo është vetëm për një natë të kaluar nën terrorin rus kundër Ukrainës. Rusia po bombardon me egërsi shtazore. “, shkroi ai në Twitter. Aktualisht, kërcënimi i sulmeve ajrore mbetet i lartë në të gjithë vendin

Top Channel