“Shpejtoni zgjerimin e BE-së”/ Hungaria: Vendet e Ballkanit zgjidhin emigracionin!

23/03/2023 08:59

Hungaria riktheu thirrjet për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor duke i shtuar një argument të ri listës së përfitimeve që do të sillte ky hap.

Ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto u shpreh se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishin tashmë pjesë e bllokut europian. problemet e emigracionit mund të trajtoheshin në mënyrë më efikase.

Këto komente të tij, kryediplomati hungarez i bëri gjatë një vizite zyrtare në Sarajevë. Deklaratat e tij reflektonin padyshim edhe shqetësimet e vetë Hungarisë në lidhje me emigracionin e paligjshëm, dhe faktin që ajo kërkon zgjidhje. Szjjarto vetë e pohoi se vitin e kaluar, në kufirin jugor të vendit të tij u ndaluan mbi 265,000 emigrantë.

Emigrimi, shtoi ai, është pika kryesore e bashkëpunimit midis Ministrisë së Brendshme hungareze dhe Ministrisë së Sigurisë së Bosnjës.“Ne e dimë se sa më mirë dhe më efikas të jetë bashkëpunimi në vendet e Ballkanit Perëndimor, aq më efikas do të jetë menaxhimi i emigracionit”, u shpreh kryediplomati hungarez.

Ai theksoi sidoqoftë se Hungaria e dëshiron përshpejtimin e procesit të zgjerimit të bllokut edhe sepse stabiliteti i Bosnjës “është gjithashtu i një rëndësie të madhe edhe për ne”. Sa për vendosjen e sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj individëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ato, sipas tij, nuk e kanë arritur qëllimin e tyre.

Top Channel