“Në hetimet e Trumpit ka gisht Sorosi”, republikanët: Dha 1 milionë dollarë!

23/03/2023 12:29

Republikanët janë hedhur në mbështetje të ish presidentit Donald Trump që përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj tij lidhur me pagesat e bëra për të blerë heshtjen e një ylli i të filmave për te rritur.

Pretendimi i fundit i tyre është se bëhet fjalë për një rast të pastër me prapavijë politike për të cilin fajësuan investitorin dhe filantropin George Soros.

92-vjeçari është akuzuar pa prova për shumë gjëra deri më tani, duke nisur nga pagesa e protestuesve të dhunshëm deri tek krimet zgjedhore. Trump dhe republikanët e tjerë thonë se Prokurorin i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, që ka në dorë çështjen e tij, po vepron pikërisht në emër të hungarezo-amerikanit të famshëm hebre. Trump përdori platformën e tij Truth Social për të ngritur pretendimet se Bragg ka marrë nga Sorosi më shumë se një milion dollarë. Senatori i Ohajos, J.D. Vance, shkroi në Twitter se prokurori ishte “blerë nga George Soros”.

Edhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis e quajti rastin një cirk të prodhuar nga një prokuror i financuar nga Soros. Komentet e Trumpit kanë zanafillën tek një donacion që filantropi bëri në vitin 2021, kur  dhuroi 1 milion dollarë për organizatën “Color of Change”, një grup politik i cili zhvilloi një fushatë të pavarur financiare për të mbështetur zgjedhjen e Bragg në postin e prokurorit. Sipas ekspertëve, pretendime të tilla shfrytëzojnë një zonë gri të mbledhjes së fondeve për fushata, ku mund të jenë të paqarta lidhjet mes donatorëve dhe kandidatëve që përfundimisht marrin fondet.

Top Channel