Marrëveshja e Ohrit, Chollet uron kryeministrin Albin Kurti

23/03/2023 16:35

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një bisede telefonike të enjten.

Në njoftimin e zyrës së Kryeministrit, thuhet se ata “folën për takimin e nivelit të lartë politik” mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe ky urim vjen “pas negociatave të gjata dhe të vështira”.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA