Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i ka kërkuar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që të marrë pjesë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
“Na vjen keq shumë për refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës dhe e nxisim që ta dorëzojë listën e saj zgjedhore pa vonesë në KQZ”, ka shkruar ajo në Twitter.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka thënë të mërkurën se asnjë subjekt politik nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, pra as Lista Serbe. Afati për aplikim ka qenë deri më 22 mars, por Von Cramon u ka kërkuar autoriteteve në Kosovë që ta shlyejnë atë.
Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Gjatë ditës së sotme, kjo parti tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje “para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe”.
Raportuesja për Kosovën përmendi nenit 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit, ku kërkohet të sigurohet “një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, dhe tha se refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhje nga Lista Serbe nuk i përmbushë pritshmëritë për zotimet e dhëna.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se në këtë nen flitet për arritjen e një niveli “adekuat të vetëmenaxhimit” e jo për Asociacion.
Por, në të njejtën ditë, emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se neni 7 i Marrëveshjes drejt normalizimit, nuk përfshin zotime të reja për Kosovën, por nënkupton krijimin e Asociacionit.
Cramon ka kërkuar nga të dyja palët që të tregojnë përkushtim në zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe Aneksit që u arrit më 18 mars.
Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.
Edhe përfaqesuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se do ta monitorojnë “me kujdes se kush e zbaton marrëveshjen e kush jo”.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për to.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Top Channel