SHBA nuk ndal fluturimet me dron në Detin e Zi, kërcënon Moska: Probabiliteti i konfliktit bërthamor ‘në nivelin më të lartë në dekada’!

22/03/2023 16:40
Foto Ilustruese

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov është i fundit që komentoi perspektivën e përshkallëzimit bërthamor, pas lajmeve se Mbretëria e Bashkuar po furnizon Ukrainën me armë që përmbajnë uranium të varfëruar. Pas kritikave për lëvizjen nga Vladimir Putin dhe Sergei Lavrov, Ryabkov tha se probabiliteti i një konflikti bërthamor tashmë është “në nivelin më të lartë në dekada”.

Në komentet e raportuara nga agjencitë ruse të lajmeve, ai tha gjithashtu se nuk mund të flitet për negociata të fshehta apo të hapura me SHBA-në për rivendosjen e traktatit të ri START të reduktimit të armëve bërthamore. Rusia u tërhoq nga traktati në shkurt.

Uraniumi i varfëruar përdoret në armë sepse mund të depërtojë më lehtë në tanke dhe armatura për shkak të densitetit dhe vetive të tjera fizike. Predhat që e përmbajnë atë bëhen më të mprehta dhe ndizen kur bien në kontakt me armaturën. Megjithatë, sipas Institutit të OKB-së për Hulumtimin e Çarmatimit, municionet e uraniumit të varfëruar nuk mund të konsiderohen si armë bërthamore.

Ai thotë se uraniumi i varfëruar nuk plotëson përkufizimet ligjore të armëve bërthamore, radiologjike, toksinike, kimike, helmuese ose ndezëse. Sidoqoftë, më shumë sesa lëvizja e Mbretërisë së Bashkuar ajo çka e ka zemëruar Ryabkov është njoftimi i  SHBA-së së fundmi se do të vazhdojë fluturimet me dron mbi Detin e Zi. Kjo ndodh pavarësisht se një avion luftarak rus u përplas me një dron amerikan në fillim të këtij muaji.

Ryabkov tha: “Ne e kemi gjetur veten në një gjendje konflikti të hapur defaktori me SHBA.”

Sa i përket planeve për dron, ai tha se SHBA-ja “po provokon Moskën të marrë masa hakmarrëse”.

Top Channel