Kreu i TikTok-ut pritet t’i thotë Kongresit se aplikacioni është i sigurt, nuk duhet ndaluar

22/03/2023 18:52

Shefi ekzekutiv i rrjetit social TikTok, i përdorur në masë të madhe nga të rinjtë, planifikon t’i thotë Kongresit se kompania është e përkushtuar ndaj sigurisë së përdoruesve, mbrojtjes dhe sigurisë së të dhënave dhe të mos lejojë ndikimit të qeverisë kineze ndaj saj.

Shou Zi Chew do t’u përgjigjet të enjten pyetjeve të ligjvënësve amerikanë të cilët janë të shqetësuar për efektet e platformës së mediave sociale tek përdoruesit e rinj dhe rreziqet e mundshme që ky rrjet social paraqet për sigurinë kombëtare. TikTok është themeluar nga sipërmarrës kinezë.

Përpjekjet e TikTok-ut për sigurimin e të dhënave të përdoruesve të tij sipas zotit Chew shkojnë “përtej” atyre që bëjnë rivalët e tij. Këto përpjekje përfshijnë projektin prej 1.5 miliardë dollarësh për të ruajtur të dhënat në serverat e “Oracle”, organizatës amerikane që krijon baza të të dhënave. Këto komente janë pjesë e komenteve të zotit Chew të cilat u publikuan përpara paraqitjes së tij para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Energjinë dhe Tregtinë.

“Asnjë kompani tjetër e rrjeteve sociale, apo platformë argëtimi si TikTok-u, nuk ofron këtë nivel transparence”, pritet të deklarojë zoti Chew.

Ai pritet të kundërshtojë kritikat se TikTok-u mund të bëhet mjet i Partisë Komuniste të Kinës, sepse kompania që e ka atë në pronësi, ByteDance, është e vendosur në Pekin.

“Më lejoni ta them këtë pa mëdyshje: ByteDance nuk është agjent i Kinës apo i ndonjë vendi tjetër”, thuhet në fjalimin e zotit Chew.

“Është absolutisht e pavërtetë që TikTok-u dërgon të dhëna të përdoruesve të tij amerikanë në Pekin. TikTok-u kurrë nuk ka ndarë, ose nuk ka marrë një kërkesë për të ndarë të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze. TikTok-u nuk do ta respektonte një kërkesë të tillë edhe nëse do të bëhej ndonjëherë”.

Ky rrjet social është kritikuar në SHBA, Evropa dhe Azi-Paqësori, ku një numër në rritje qeverish e kanë ndaluar shfrytëzimin e aplikacionit nga pajisjet e përdorura për punë zyrtare për shkak të shqetësimeve se ai paraqet rreziqe për sigurinë kibernetike dhe privatësinë e të dhënave ose mund të përdoret për të shpërndarë dezinformata pro-Pekinit.

Dyzet vjeçari nga Singapori, Chew, i cili u emërua shef ekzekutiv në vitin 2021, tha në një video të publikuar në TikTok këtë javë se seanca dëgjimore në Kongres vjen në një “moment kyç” për kompaninë, e cila tani ka 150 milionë përdorues amerikanë.

Rregullatorët amerikanë thuhet se janë kërcënuar se do të ndalojnë TikTok-un nëse pronarët kinezë nuk shesin aksionet e tyre. Ligjvënësit kanë prezantuar masa që do të zgjeronin autoritetin e administratës Biden për të miratuar një ndalim kombëtar si dhe kanë bërë thirrje për “kufizime strukturore” midis operacioneve amerikane të TikTok-ut dhe kompanisë ByteDance, përfshirë ndarjen e mundshme të kompanive.

Zoti Chew tha se projekti i sigurisë të të dhënave të TikTok-ut, i quajtur Projekti Teksas, është përgjigja e duhur dhe jo ndalimi apo shitja e detyrueshme e kompanisë.

Kompania këtë muaj filloi të fshijë të dhënat e përdoruesve të SHBA-së nga serverët që nuk janë të kompanisë amerikane Oracle, tha zoti Chew. Kur ky proces të përfundojë më vonë këtë vit, të gjitha të dhënat e SHBA-së do të mbrohen nga ligji amerikan dhe do të kontrollohen nga një ekip sigurie i udhëhequr nga SHBA-të.

“Sipas kësaj strukture, nuk ka asnjë mënyrë që qeveria kineze të ketë qasje në këto të dhëna”, tha ai.

Zoti Chew tha se një ndalim i TikTok-ut do të dëmtonte ekonominë dhe bizneset e vogla amerikane që përdorin aplikacionin për të shitur produktet e tyre. Ai shtoi se shitja “nuk do të vendosë ndonjë kufizim të ri në rrjedhën e të dhënave ose qasjen mbi to”.

Top Channel