Në muajin shkurt 2023, Policia e Shtetit, njoftoi se janë hapur 300 vende vakante për punonjës policie. Kandidatët duhet të paraqiteshin deri më 15 mars pranë çdo drejtorie për të dorëzuar dokumentet.

Por, një nga kriteret ishte që këta kandidatë duhet të ishin deri në 30 vjeç. Ky dhe disa kritere të tjera për gjendjen shëndetësore, mbajtjen e syzeve, tatuazhet apo edhe “besueshmëria”, ka skualifikuar qindra kandidatë, shumica e të cilëve të kualifikuar, që kishin mbaruar një universitet apo edhe ekselentë.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan dhjetëra persona, të cilët u ankuan për kriterin më përjashtues; mosha deri në 30 vjeç! Ky kriter është kundërshtuar edhe më parë nga një mori institucionesh, nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit apo edhe nga vetë Sindikata e Policisë së Shtetit. “Vendosja e moshës 30 vjeç është shkelje e hapur e ligjit dhe kushtetutës, i hiqet një e drejtë një qytetari që të konkurrojë edhe mbi moshën 30 vjeç” ka deklaruar më parë Satedin Fisha, kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit. Sipas tij, “janë kriteret e tjera, testimet fizike ato që bëjnë edhe përzgjedhjen e aftësive fizike që i ka çdo individ për të konkurruar, jo mosha”. Megjithatë, sërish Policia e Shtetit në njoftimin e shkurtit shkruan së kriter është mosha deri në 30 vjeç!

Ndërkohë, edhe rekrutimet në Policinë e Burgjeve kishin kriter moshën deri në 35 vjeç. Por, në një dalje publike, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e hoqi këtë kriter, duke i hapur rrugë kujtdo për të kandiduar. “Hoqën kriterin e moshës për pranime në Policinë e Burgjeve të kandidatëve deri në 35 vjeç. Ka vendime të Gjykatës Kushtetuese, asaj Europiane të Drejtave të Njeriut që përcaktojnë se kriteri i moshës është diskriminues. Kemi një numër shumë të madh vendesh të lira”, tha ministri Manja.

Fiks Fare u interesua në Policinë e Shtetit për këtë kriter, ku morëm përgjigje se vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme. Vetë Ministria e Brendshme pohon se janë “detyruar” nga ligji për Policinë e Shtetit. Pra, ka një përplasje mes tyre por që në fakt po dëmton qindra kandidatë të mundshëm për punonjës policie, tepër të kualifikuar, për t’u bërë pjesë e saj.

Pas këtyre përgjigjeve, kandidatët dhe gazetarët e Fiksit u interesuan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t’u regjistruar. Disa kandidatë që po plotësonin dokumentet pohojnë se mosha deri 30 vjeç është kriter thelbësor. Sipas tyre, nuk kandidojnë dot nëse janë mbi 30 vjeç. Nga ana tjetër, një punonjëse që pranon dokumentet, i thotë Fiksit se kriterin e moshës “e ka vendosur ministri i Brendshëm”.

Gazetarët e Fiks Fare bisedojnë me z. Robert Gajda, komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ai thotë se Komisioneri ka dalë me një vendim në vitin 2021 për kriterin e moshës, i cili është diskriminues. Më tej shton se “s’mund t’ua mohosh të drejtën për punësim personave mbi 30 vjeç dhe justifikimet e policisë së duhen të rinj bien poshtë për shkak se kandidatët i nënshtrohen testimeve teorike dhe fizike”.

Komisioneri shton më tej se, megjithëse janë një seri vendimesh që janë lënë në fuqi edhe nga gjykata, sërish Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit s’i kanë marrë parasysh, pasi edhe kriteret e pranimit në vitin 2023 janë të njëjta nga ato të mëparshmet, duke s’kualifikuar personat e kualifikuar edhe ekselentë.

Gajda pohon se janë edhe disa kritere të tjera të cilat janë diskriminuese, si kandidatët me syze. “Edhe këta kandidatë diskriminohen, pasi megjithë kualifikimet ata s’kualifikohen”, thotë ai.

Gjithashtu pohon se diskriminues është edhe kriteri i personave që kanë Hepatit B. Ligji i Policisë së Shtetit i ndalon kategorikisht, por nga një letër këmbim mes Komisionerit dhe ISHP-së sanksionohet se jo çdo person që mbart këtë virus mund ta përhapë. Ai thotë se s’mund të shkruash që s’kualifikohen këta persona, në një kohë që shkollat, institucionet e tjera publike s’kanë masa të tilla.

Ndër kriteret e diskutuara është edhe besueshmëria. Komisioneri ka marrë një vendim për një kandidat, i cili është s’kualifikuar për shkak se kur ishte 2 vjeç babai i tij ishte shoqëruar nga policia. Ndaj babait s’kishte asnjë arrestim, vendim gjykate dënimi. Por inspektori i zonës kishte shkruar se s’kualifikohej si i “papërshtatshëm”.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA