Rusia bastis zyrat e grupit fitues të çmimit Nobel për Paqen për të drejtat e njeriut

21/03/2023 21:49
Foto Ilustruese

Autoritetet ruse kanë bastisur shtëpitë dhe zyrat e avokatëve të të drejtave të njeriut dhe historianëve të përfshirë në grupin e të drejtave Memorial, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqen vitin e kaluar.

Vala e kërkimeve, e ndërmarrë nga policia për të marrë në pyetje aktivistët e Memorialit, është pjesë e një goditjeje gjithëpërfshirëse kundër disidencës, e cila është intensifikuar që kur Moska pushtoi Ukrainën.

Grupi tha se bastisjet dhe marrja në pyetje janë të lidhura me një çështje penale të nisur nga Komiteti Hetues i Rusisë kundër aktivistëve në fillim të këtij muaji.

Hetimi u hap me akuzën e “rehabilitimit të nazizmit”, i dënueshëm deri në pesë vjet burg, raporton SkyNews.

Memorial drejton një bazë të dhënash të viktimave të represioneve politike, e cila përfshin tre persona që u dënuan në kohën sovjetike për bashkëpunim me Gjermaninë naziste.

Grupi tha se autoritetet po përdorin ata emra në listë në rastin e tyre kundër Memorial.

Oleg Orlov, bashkëkryetari i grupit, apartamenti i të cilit ishte në mesin e atyre që u kontrolluan, u tha gazetarëve se akuzat ishin “idiotike”, përpara se të tërhiqej në një stacion policie nga një oficer i maskuar me jelek antiplumb.

Top Channel