Kryeministri Edi Rama ditën e dytë të vizitës në Greqi e ka nisur me Kryetarin e parlamentit grek, Konstandinos Tasoulas.

Ata vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve, si dhe shprehën dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për forcimin e tyre të mëtejshëm, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Parlamentit Konstantinos Tasoulas  bashkëvlerësuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi, si ura solide miqësie mes vendeve.

“Është kënaqësi e veçantë që jemi sot në Athinë, marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Dëshira e dyanshme për t’i forcuar këto marrëdhënie çdo ditë, është shumë e madhe dhe baza e këtyre marrëdhënieve janë pa dyshim të dy popujt tanë dhe urat e forta mes nesh, janë qoftë qytetarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi”,  u shpreh Kryeministri Rama.

Nga ana e tij, Kryetari Tasoulas shprehu mbështetjen e Greqisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke vlerësuar progresin e bërë nga vendi ynë në këtë aspekt.

“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar ne Greqi, po ecin përpara”,  u shpreh ai gjatë takimit.

Rama gjithashtu i dhuroi një shishe vere dhe libër.

“Kjo është pasi zihen deputetët në parlament dhe kur shkoni në darkë në shtëpi, është shumë e mirë. Ky është një libër, autoren e kemi këtu, është përkthimi në greqisht”, tha Rama.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA