Komandanti i NATO-s paralajmëron Rusinë: Nuk duam luftë, por nëse sulmohemi, do të luftojmë
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ka reaguar ndaj pretendimeve të deputetit Vangjel Dule në Parlament lidhur me procesin e trajtimit të banesave pa dokumentacion pronësie në Himarë.
Ajo i cilëson këto pretendime si të pavërteta dhe thekson se puna në terren synon t’u japë zgjidhje problemeve të pronësisë së qytetarëve, në përputhje me ligjin.
Sipas Dules, në Bashkinë e Himarës, në lagjen “Kala”, shërbimet shtetërore dhe ato bashkiake që merren me regjistrimin e ndërtesave të ndërtuara para viteve ’90, nuk i regjistrojnë. Ai shton se këtë e bëjnë me pretendimin se janë objekte ristrukturimi nga UNESCO.
“Do doja t’a mbyllja me një çështje tjetër që ka lindur ditët e fundit, që është në frymën e grabitjes, që e keni shndërruar në politikë në çdo aspekt të jetës. Në Bashkinë e Himarës, në lagjen Kala, shërbimet shtetërore dhe ato bashkiake që merren me regjistrimin e ndërtesave të ndërtuara para viteve ’90, nuk regjistrojnë ato ndërtesa të cilat janë në lagjen Kala dhe janë pa çati. Me pretendimin se ato janë objekte ristrukurimi nga UNESCO. Por çfarë lidhje ka pronësia me faktin nëse UNESCO do të financojë apo një institucion tjetër rikonstruksionin e tyre konform rregullave që kërkon një objekt i shpallur monument. Pronësia është pronësi, por me këto taktika fshihet qëllimi i rrëmbimit të pronës të zonës më të lakmueshme të qytetit të Himarës. E aq më tepër edhe politika tjetër, aty ku konstatohet se mungojnë pronarët realë aktualisht, vënë autoritetet e tua partiake, patronazhistë, të cilët cilësohen si procedues të pronës dhe u regjistrohet prona në emrin e tyre. Këto janë qëllime që herë i bëni në Bashkinë Himarës e herë në Bashki të tjera, por që doni t’i shndërroni në politikë të përgjithshme në të gjithë republikën. Prandaj do na keni kundër”, tha Vangjel Dule në seancën parlamentare të datës 8 tetor 2026, ditën kur u votua dhe Reforma Territoriale.
Ndërkohë Goxhobelli sqaron përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale se pretendimet për pengim të qëllimshëm të regjistrimit të banesave në lagjen “Kala” të Himarës dhe për një skemë të pretenduar të grabitjes së pronave nuk pasqyrojnë, realitetin e procesit që po zhvillohet në terren.
“Kadastra nuk ka qëllim t’i marrë pronën askujt. Ka vetëm një detyrë: të ndihmojë qytetarët të zgjidhin problemet e tyre të pronësisë, në përputhje me ligjin”, shprehet drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, duke ftuar deputetin Dule të paraqesë faktet dhe të ballafaqojë pretendimet me institucionin.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përmes qasjes së re “Kadastra derë më derë”, specialistët po shkojnë pranë banorëve për të trajtuar problematikat e dokumentacionit të pronësisë, si për banesat e ndërtuara pa leje pas vitit 1991, ashtu edhe për banesat më të hershme, përfshirë ato që mund të jenë dëmtuar nga koha.
Goxhobelli thekson se procesi mbështetet në deklarimet e qytetarëve, verifikimet në terren dhe procedurat e përcaktuara me ligj. Çdo deklarim i rremë sjell përgjegjësi ligjore, ndërsa trajtimi i rasteve bëhet pa përjashtime, privilegje apo dallime mbi baza politike.
Një tjetër element që thekson drejtoresha e ASHK-së është transparenca e procesit. Pas përfundimit të punës në secilin fshat, të dhënat publikohen në platformën online të Kadastrës, ku qytetarët mund të kontrollojnë statusin e dosjes së tyre, nëse ajo është në afishim publik, nëse mungon dokumentacioni i nevojshëm apo nëse ekipi nuk ka mundur të hyjë në banesë.
Banorët mund të përfshihen në proces gjatë gjithë periudhës së qëndrimit të ekipeve të Kadastrës në bashki, duke kontaktuar specialistët e ASHK-së ose duke telefonuar pa pagesë në numrin e gjelbër 0800 8811.
Në reagimin e saj, Goxhobelli thekson se mbrojtja e të drejtave të pronësisë kërkon fakte, transparencë dhe zbatim të ligjit, ndërsa përhapja e pretendimeve të pavërtetuara mund të dëmtojë besimin e publikut dhe të cenojë të drejtën e qytetarëve për t’u informuar saktë.
“Të drejtat e pronësisë nuk mbrohen me akuza dhe insinuata, por me fakte, transparencë dhe zbatim të ligjit. Përhapja e të pavërtetave është dëmtim i besimit publik dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar drejt, aq më tepër kur kjo vjen nga njerëz të politikës, të ligjit apo të institucioneve shtetërore. Në këtë rast përgjegjësia është edhe më e madhe sepse fjala e tyre mbart peshë dhe pasoja. Disinformimi nga ata që gëzojnë besimin publik dhe kanë një lloj autoriteti nuk cenon vetëm faktet, por edhe vetë besimin te institucionet”, shprehet Goxhobelli.
Top Channel