Qeveria në “biznes familjar”/ Zyrtarët talebanë të detyruar të shkarkojnë djemtë e tyre nga puna

20/03/2023 12:20

Dekreti i Hibatullah Akhundzada, udhëheqësi i talebanëve ka urdhëruar zyrtarët afganë të shkarkojnë fëmijët apo të afërmit që kanë punësuar në postet qeveritare.

Talibanët pushuan nga puna një pjesë të stafit të lartë kur morën pushtetin në vitin 2021, ndërsa të tjerët u larguan. Ka pasur pretendime se staf pa përvojë janë punësuar në bazë të lidhjeve të tyre personale.

Shtypi Islamik afgan, me qendër në Peshawar, Pakistan, raportoi se dekreti pasoi pretendimet se disa zyrtarë të lartë talebanë kishin emëruar djemtë e tyre në role brenda qeverisë.

Afganistani është përballur me një krizë të thelluar ekonomike dhe humanitare që kur talebanët hynë në Kabul dhe rifituan kontrollin e vendit. Forcat e huaja ushtarake kishin qenë në vend për dy dekada, duke luftuar një luftë që vrau dhjetëra mijëra dhe zhvendosi miliona të tjerë.

Që atëherë, sanksionet janë vendosur ndaj anëtarëve të qeverisë talebane, asetet e bankës qendrore jashtë shtetit janë ngrirë dhe shumica e financimeve të huaja janë pezulluar – duke ndërprerë një litar shpëtimi ekonomik.

Afganistani vlerësohet se ka burime natyrore – duke përfshirë gazin natyror, bakrin dhe tokat e rralla – me vlerë më shumë se 1 trilion dollarë, por këto rezerva mbeten të pashfrytëzuara për shkak të dekadave të trazirave në vend.

Top Channel