Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin “burgimin të përjetshëm” për Festim Bexhdilin, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës.
Në shtator të vitit të kaluar Gjykata e Posacme vendosi dënim me burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, i cili akuzohet për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, në janar të vitit 2020, por ai ankimoi vendimin.
SPAK pretendoi se Bexhdili e di se ku është fshehur trupi i pajetë i Jan Prengës, por nuk e tregon.
Apeli shpalli fajtor edhe Olsi Turjan, i cili u dënua me tre vjet burgim, për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Por i riu e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit. Ata vlerësohen si njerëzit që kanë informacion se çfarë ndodhi me Jan Prengën, i kthyer në një viktimë hakmarrjeje prej luftës së kokainës.
Njoftimi i Apelit të Posacëm:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Iliriana Olldashi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 20.03.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 25 akti, datë 07.02.2022 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri F.B., kundër vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Festim Bexhdili, për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi apo mbajtja peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, e kryer në bashkëpunim ne formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 109/3 – 28/4 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në bashkëpunim ne formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 278/4 – 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 7 (shtatë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës’ e kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 303 – 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 8 (tetë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B., për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a parag. 2 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Në bazë të nenit 55 të K.Penal, mbi caktimin e dënimeve për kryerjen e disa veprave penale, dënimin e të pandehurit F.B. me burgim të përjetshëm.
Në bazë të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, nenet 15, 16 pika 1 gërma “a” i tij, këtë dënim i pandehuri F.B. ta kryejë në një institucion të sigurisë së lartë.
Deklarimin fajtor të të pandehurit O.T., për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 301 – 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “c” dhe 262/2 të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” e caktuar ndaj të pandehurit O.T. me vendimin nr. 27 dt. 26.01.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të caktuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Çfarë dihet për rrëmbimin e Jani Prengës?
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.
Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Top Channel