India ndalon internetin në 27 milionë njerëz, policia në ndjekje të një përkrahësi të fesë Sikh

20/03/2023 10:51

Autoritetet indiane kanë bllokuar aksesin në internet për rreth 27 milionë njerëz në shtetin e Punjabit për të tretën ditë radhazi,  një nga ndërprerjet më të mëdha të internetit në vend në vitet e fundit ndërsa policia kërkon për një separatist Sikh në arrati.

Qeveria e Punjabit fillimisht njoftoi një ndalim 24-orësh të internetit të shtunën ndërsa autoritetet nisën një operacion për të arrestuar Amritpal Singh, një udhëheqës popullor brenda lëvizjes separatiste Khalistan që kërkon të krijojë një shtet sovran për ndjekësit e fesë Sikh.

Mbyllja e internetit që prek të gjithë në shtetin verior të Indisë u zgjat nga qeveria për herë të tretë deri në mesditën e së martës sipas një ligji që lejon ndërprerjen e internetit për të parandaluar çdo nxitje për dhunë dhe çdo shqetësim të paqes dhe rendit publik.

Policia në Punjab e ka justifikuar mbylljen e internetit si një mjet për të ruajtur rendin dhe ligjin dhe për të ndaluar përhapjen e “lajmeve të rreme”.

Skenat dramatike të kapura në video dhe të transmetuara në një televizionin lokal treguan qindra mbështetës të Singh, disa duke mbajtur shpata dhe shkopinj, duke ecur nëpër rrugët e Punjabit. Policia dhe trupat paraushtarake u dislokuan në disa rrethe të shtetit në një përpjekje për të ruajtur rendin dhe ligjin.

Të paktën 112 persona janë arrestuar, tha policia e Punjabit të dielën, ndërsa Singh mbetet në arrati.

Për dekada, disa Sikh kanë kërkuar që një komb i pavarur i quajtur Khalistan të gdhendet në shtetin e Punjabit. Gjatë viteve, përplasjet e dhunshme kanë shpërthyer mes ndjekësve të lëvizjes dhe qeverisë indiane, duke marrë shumë jetë.

Dhuna arriti kulmin në qershor 1984 kur ushtria indiane sulmoi Tempullin e Artë në Amritsar, faltoren më të shenjtë të Sikizmit, për të kapur separatistë të armatosur, duke vrarë mijëra dhe duke e kthyer në rrënoja një pjesë të madhe të ndërtesës. Masakra tronditi komunitetin Sikh dhe ish-kryeministrja e Indisë Indira Gandhi, e cila urdhëroi operacionin, u vra nga truprojat e saj sikh më pas.

Lëvizja Khalistan është e paligjshme dhe konsiderohet një kërcënim i rëndë për sigurinë kombëtare nga qeveria indiane, por ruan një nivel mbështetjeje midis disa Sikhëve brenda dhe jashtë vendit.

 

Top Channel