Qeveria gjermane do të dyfishojë numrin e punëtorëve nga Ballkani, që pavarësisht kualifikimit të marrin një vizë pune. Sindikatat i tremben fluksit të fuqisë punëtore të lirë nga Ballkani.
Sipas të dhënave të Institutit për Tregun e Punës dhe Studimet e Profesionit (IAB) aktualisht ka 1,98 milionë vende të lira pune në Gjermani. Për të vepruar kundër mungesës kronike të fuqisë punëtore, qeveria gjermane planifikon të liberalizojë ligjin përkatës për migracionin e punës. Një pjesë e paketës ligjore është e ashtuquajtura “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor. Qeveria parashikon dy ndryshime themelore: Nga njëra anë kjo rregullore nuk do të jetë më e kufizuar në kohë – rregulloja e deritanishme zgjat deri në fund të vitit 2023 – nga ana tjetër kontigjenti i punëtorëve nga Ballkani do të dyfishohet në 50.000 punëtorë në vit.
Leja e punës – pa kualifikim
Kur në gjysmën e dytë të vitit 2015 në kulmin e krizës së refugjatëve erdhën më shumë se 1 milionë refugjatë nga Siria, Iraku e Afganistani përmes itinerarit të Ballkanit, atyre iu bashkangjitën edhe shumë njerëz nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Atëherë ata përbënin 30% të kërkesave për azil, megjithëse gati të gjitha kërkesat nuk njiheshin. Qeveria e Merkelit atëherë mbylli marrëveshje me vendet e Ballkanit për pranimin e refugjatëve të kthyer dhe në vitin 2016 u miratua Rregullorja e Ballkanit Perëndimor. Me të lejohej ardhja e një kontigjenti të atyre që kërkonin punë pa pengesat burokratike të paraqitjes së kualifikimit. Dy kritere duheshin plotësuar: Kërkesa për lejen e punës duhet të paraqitej tek përfaqësitë gjermane në këto vende dhe më parë nuk duhej të kishe bërë kërkesë për azil.
Një rregullore që duhej të kënaqte të githa palët. Në Gjermani do të kishte imigrim të rregulluar të fuqisë punëtore pa kualifikim ose me kualifkim të mesëm. Nga ana tjetër do të lehtësohej gjendja e vështirë e tregut të punës në këto vende, ku sidomos rinia vuan nga papunësia. Në Kosovë për shembull papunësia arrin 21%, ajo e të rinjve madje 55%. Kështu nuk të habit fakti që si pasojë e rregullores Agjencia Federale e Punës deri në fund të vitit 2020 ka dhënë 260.000 leje parimore për vizë dhe 98.000 leje për viza pune nga aplikuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Frika nga dumpingu i rrogave
Këto shifra priten të rriten edhe më tej. Planet e qeverisë gjermane për Rregulloren e Ballkanit Perëndimor përshëndeten nga punëdhënësit gjermanë. Janë pikërisht ata që ushtrojnë presion të rregullt ndaj qeverisë që të liberalizojë kushtet e imigrimit për punë në Gjermani. Shoqata e Sindikatave Gjermane, DGB është më kritike. Evelyn Räder, në bordin e kësaj shoqate thotë se DGB e përshëndet migracionin për punë, por thekson se kushtet e punës për punëmarrësit nga Ballkani duhen parë me shumë kujdes. “Njerëzit që vijnë janë në masë të madhe të varur nga punëdhënësi i tyre. Ata kanë një leje pune, por kjo është e lidhur me vendin e punës që kanë. Kjo krijon frikë, që nëse nuk ulin kokën, mund edhe të kthehen.” Nga ana tjetër ata nuk flasin gjermansiht dhe nuk informohen për të drejtat e tyre. Të gjitha këto bëjnë që në praktikë ata të pranojnë kushte më të këqija pune, thekson Räder.
Jo “forca të kualifikuara” por punëtorë
Tre të katërtat e punëtorëve nga Ballkani punojnë në ndërtim, në gastronomi dhe në kujdesin shëndetësor për të moshuarit. 44% vetëm në ndërtim. Shumica e këtyre punëve janë punë me rroga relativisht të ulta. Megjithëse qeveria gjermane e shpjegon reformën në tregun e punës për të huajt me mungesën e fuqisë punëtore, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nuk i përgjigjet kësaj në atë masë, sepse për ta nuk kërkohet kualifikim për të marrë një leje pune.
Sipas vlerësimit të DGB-së nuk bëhet fjalë për të tërhequr forca të kualifikuara, por për të fituar fuqi punëtore për punë të thjeshta të papaguara mirë. “Ky është thjesht një program punësimi në favor të punëdhënësve, që në këtë mënyrë fitojnë fuqi punëtore, të cilën në rast nevoje mund ta nxjerrin në rrugë sërish”, thotë Räder.
Punë e pasigurtë në kantiere ndërtimi
Kjo problematikë vërehet më shumë në degën e ndërtimit. Shoqata e Industrisë së Ndërtimit ka hequr dorë vitin e kaluar nga zgjatja e marrëveshjes për pagesën në bazë tarifash. Punëtorët mund të paguhen vetëm me një pagë minimale prej 12 eurosh në orë, që është shumë më pak se pagesa më parë. Dikur në këtë degë paguheshin 13 deri në 16 euro në orë.
Në këtë mënyrë punëdhënësit mund të ushtrojnë presion ndaj atyre që kërkojnë një rrogë më të lartë – sepse ka gjithmonë forca pune që kushtojnë më pak. Nga ana tjetër ata nuk kanë pse të kenë frikë nga gjyqet. Punëtorët nga Ballkani janë grup veçanërisht i rrezikuar , ata nuk i njohin të drejtat e tyre, dhe për shumë vetë nga Ballkani kushtet e punës janë të papranueshme krahasuar edhe me vendet nga vijnë. Kësaj i shtohet që kontrollet shtetërore janë shumë të pakta.
Mbrojtja e punëtorëve dhe autonomia
“Ne jemi të shqetësuar, se në këtë mënyrë ushtrohet presion për kushtet e punës të të gjithë të punësuarve në këtë degë- do të bëhet më e vështirë të arrihet marrëveshje tarifash dhe pa to krijohet një program dumpingu më drejtim uljen e rrogave”, paralajmëron Evelyn Räder nga DGB.
Zgjidhja për Shoqatën e Sindikatave, DGB qëndron tek ndryshime të tjera të Rregullores së Ballkanit Perëndimor. Një nga ndryshimet kryesore do të ishte mundësia e ndryshimit të punëdhënësit, pa u detyruar të aplikosh sërish për vizë pune, si tek shumë punëtorë të huaj të tjerë.
Sipas rregullores aktuale aplikimi për vizë bëhet në përfaqësitë gjermane në vendin origjinë dhe jepet për një punë të caktuar. Ndryshimi është i mundur në këto përfaqësi, por kërkesa për lejen e vizës së punës duhet të bëhet sërish nga e para tek Agjencia Federale e Punës. Për shumë punëtorë nga Ballkani kjo është një procedurë shumë e komplikuar, shumë vetë as nuk e dinë se ekziston një mundësi e tillë. DGB kërkon punësimin mbi bazën e Rregullores së Ballkanit Perëndimor vetëm aty ku ka marrëveshje tarifash. Nga njëra anë do të mbroheshin kështu punonjësit, nga ana tjetër nuk do të minohej autonomia e taifave të sindikatave.-
Evely Räder ka një mesazh për punëtorët nga Ballkani që duan të punojnë në Gjermani: “Informohuni për të drejtat tuaja dhe kërkoni në rast nevoje ndihmë. Nuk duhet të përtypni gjithçka, që ju ofrohet.” Në Gjermani punëtorët kanë të drejta, thekson Evelyn Räder./DW
Top Channel