E vërteta e fotografisë së Braverman që shihet duke qeshur në qendrën e emigrantëve në Ruanda

20/03/2023 12:30

Sekretarja e Brendshme në Britani Suela Braverman ka nënshkruar ditën e djeshme një përditësim të marrëveshjes së qeverisë për emigrantët me Ruandën.

Pasi u nis për në kryeqytetin e Kigalit për të bërë publike skemën e dëbimit të azilkërkuesve, sekretarja është fotografuar duke qeshur në çatinë e një qendre të re emigrantësh dhe pas publikimit të kësaj foto, Suella Braverman ka marrë shumë kritika.

Fotoja që atëherë është shpërndarë gjerësisht, ku nëpër media sociale shihet imazhi i Braverman i shoqëruar me arkivole të kampeve naziste të përqendrimit.

Ata që kundërshtojnë politikat e saj kundër emigracionit kanë qenë disa nga të parët që kanë reaguar ndaj kësaj foto dhe e kanë cilësuar atë si ‘të poshtër’.

Politikania shihet duke qeshur me një burrë dhe një grua që i qëndrojnë pranë. Prezantuesi i radios LBC, James O’Brien, ishte një nga njerëzit që ndau një version të prerë të imazhit, duke e postuar atë në Twitter.

“Pikërisht 200 vjet pasi William Wilberforce themeloi Shoqërinë Anti-Skllavëri, këtu është Suella Braverman në një strukturë, ku ajo shpreson të dëbojë viktimat e trafikuara të skllavërisë moderne”, shkroi ai.

Komentet e tij vijnë pasi ajo u kap përsëri duke bërë një shaka në lidhje me dizajnët e shtëpive në Ruandë.

Duke vizituar pronat që mund të përdoren për të strehuar njerëzit që ajo dëshiron të dëbojë, zonja Braverman tha: Më pëlqen shumë dizajni juaj i brendshëm.

Më parë, politikania u dënua pasi i tha një të mbijetuari të Holokaustit se nuk do të kërkonte falje për gjuhën e saj për të përshkruar emigrantët dhe për dëshirën që ajo ka për të parë një fluturim deportimi në vendin afrikan në faqen e parë të një gazete.

Top Channel