Hetuesit e OKB: Sulmet ruse në Ukrainë, mund të përbëjnë krime lufte!

17/03/2023 09:22

Rusia ka kryer shkelje në shkallë të gjerë të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe normave humanitare, që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Disa prej këtyre shkeljeve përbëjnë krime lufte: në këtë përfundimin dalin në raportin e tyre hetuesit e Komisioni i pavarur ndërkombëtar të verifikimit, të mbështetur nga OKB. Shkeljet e përmendura aty përfshijnë vrasje të qëllimshme të civilëve të paarmatosur – çka paraqet një krim lufte të pastër si edhe tortura, ndalime të paligjshme, përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale dhe dëbime me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi nga zonat nën kontrollin e Moskës.

“Konflikti në Ukrainë ka patur efekte shkatërrimtare në nivele të ndryshme. Humbjet njerëzore dhe mospërfillja e përgjithshme për jetët e civilëve janë shokuese. Numri i personave të zhvendosur apo atyre që kërkojnë azil jashtë vendit është më i larti në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore“- shprehet Erik Mose, kryetar i Komisionit Hetimor

Sipas Moses sidoqoftë, nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë aktualisht së ne Ukrainë është zhvilluar genocid. Ai shtoi se shkatërrimi i infrastrukturës thelbësore – shkollat, klinikat shëndetësore, godinat e banimit dhe objekte të tjera – ka patur ndikim të pamasë tek jetët e njerëzve.

“Efektet e agresionit tek njerëzit dhe tek vendi nuk do të tejkalohen pa përpjekje të mëdha dhe përkushtim”, u shpreh zyrtari i lartë i OKB-së.

Top Channel