Sherr në familje/ Dy oficerët kanadezë vriten nga një adoleshent

17/03/2023 20:30

Dy oficerë policie në provincën perëndimore kanadeze të Albertës u vranë në krye të detyrës teksa po i përgjigjeshin një mosmarrëveshjeje familjare.

I dyshuari për të shtënat fatale është një 16-vjeçar, sipas raportimeve në mediat kanadeze.

Policia në qytetin e Edmonton tha se adoleshenti vdiq nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri.

Një grua e cila ka lidhje me të dyshuarin është dërguar gjithashtu në spital me lëndime të rrezikshme për jetën.

Oficerët e vrarë ishin Travis Jordan, 35 vjeç dhe Brett Ryan, 30 vjeç. Të dy punonin në Shërbimin Policor të Edmontonit. Jordan kishte qenë me forcat për më shumë se tetë vjet, ndërsa Ryan kishte qenë oficer për më shumë se pesë vjet.

Shefi i policisë Dale McFee tha se dy oficerët u qëlluan të enjten pasi iu përgjigjën një telefonate për mosmarrëveshje në familje në një kompleks apartamentesh në Edmonton rreth orës 00:47 me orën lokale (06:47 GMT).

Teksa iu afruan banesës, shefi McFee tha se ata u qëlluan nga i riu.

“Në këtë kohë, të gjitha indikacionet tregojnë se ata nuk kanë pasur mundësi të shkarkojnë armët e tyre”, tha ai.

“Dy anëtarët u dërguan me urgjencë në spital nga anëtarët tanë të cilët punuan me guxim për të shpëtuar jetën e tyre gjatë rrugës. Për fat të keq, të dy u deklaruan të vdekur në spital.”

Policia nuk e ka konfirmuar publikisht moshën e të dyshuarit, por burime policore kanë thënë për CBC dhe gazetën kanadeze Globe and Mail se ai ishte 16 vjeç dhe se gruaja e plagosur ishte nëna e tij.

Top Channel