Ka kaluar thuajse një vit qëkur Shqipëria hyri në listën e vendeve europiane ku mund të kishte një kampione europe si Luiza Gega në garën e 3000 m/p.
Po si ka shkuar ky vit për kampionen tonë të vogël në trup, por të madhe sportive.
“Ndjek pak si presion duke qenë se njerëzit presin gjithmonë që unë të kem pozicionin e parë dhe të dytin jo”, tha Luiza Gega.
“Në Shqipëri duhet të jesh gjithmonë i pari po arrite i dyti është dështim i madh. Në fakt ne po luftojmë fort që të përmirësohemi dhe që në momentin kur përmirësohemi shpresojmë që do të jemi gjithmonë të parët të paktën në Europë pasi në Botë është tjetër diskutim”, tha trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi.
Viti i shkuar kishte ngjeshur shumë aktivitete edhe në atletikë të mbetur prapa për shkak të periudhës së pandemisë, megjithatë në vitin 2023 fillon viti olimpik dhe aktiviteti më i madh është Botërori ndërkohë që në vitin 2024 është edhe Olimpiada e Parisit që për Luizën mund të jetë edhe e fundit.
“Vitin që lash pas kam vënë re që nuk ka konkurrent të pakonkurrueshëm. Dua vërtetë t’i marr edhe një kujtim të bukur Olimpiadës dhe pas saj të shoh dhe të mendoj se çfarë do të bëjë me sportin”, tha Gega.
Ndërkohë trajnerin e saj Taulantin nuk e tremba aspak mosha e Luiza Gegës sot 34 vjeç një vit përpara olimpiadës së Parsit.
“Nuk kam asnjë lloj meraku, unë mendoj se Luiza deri 42 vjeç mund të bëjë sport fort por nuk po ja rekomandojë të shkoja deri në këtë moshë, por e kam fjalën që minimum edhe 2-3 vite të tjera Liza do të bëjë më mirë seç ka bërë deri tani”, tha trajneri i Gegës, Taulant Stërmasi.
Plani i Luiza Gegës gjithsesi mbetet atletika edhe për të ardhmen, ndoshta këtë herë jo si sportiste por si trajnere, kolege me trajnerin e saj Stërmasi.
“Ndoshta eksperiencën time si sportiste pse jo dhe në bashkëpunim me trajnerin. Kam vërtet dëshirë që në të ardhmen ti ngrejë nivelin këtij sporti që është mbretëresha e sporteve”, tha Gega.
Por duke qenë tek niveli sot që flasim Federata jonë ka sekretarin e dënuar, presidentin e pezulluar dhe kampionin europian Izmir Smajlaj gjithashtu të pezulluar, për të cilët Taulanti tregon se të paktën ky I fundit nuk duhet ta vuaj këtë gjë.
“Sepse unë kam sportist vetë, është si të fus Lizën në garë dhe gropa e ujit të jetë 5 cm më poshtë nga niveli i duhur, çfarë do të bëjë sportisti, do ndalojë vrapin. Domethënë nuk je palë”, tha trajneri i Gegës, Taulant Stërmasi.
Top Channel