Kombëtarja U17 do të nisë sot grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për fazën Elite Round të Europianit të kësaj grup-moshe.
Shorti i UEFA-s e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë. Ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars 2023.
Trajneri Ervin Bulku ka shpallur sot listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar për këto sfida zyrtare mjaft të rëndësishme. Boshti i ekipit është pothuajse i njëjtë me atë që arriti të siguronte kualifikimin në eliminatoret e luajtura vitin e kaluar. Ndërkohë që stafi teknik ka mundur të afrojë disa elementë të rinj, të cilët i ka testuar në ndeshjet e fundit miqësore (Bosnje Hercegovinë dhe Itali).
Emrat e rinj që vijnë nga jashtë janë Muhadin Sulejmani, Frederik Tosku, Klejdi Marinaj, Kleo Shpuza dhe Ron Hasani. Në listë ka edhe disa lojtarë të afruar nga kampionati shqiptar. Ndërkaq, për Hasanin dhe Sulejmanin pritet pajisja e tyre me pasaportë shqiptare në ditët në vazhdim.
Kombëtarja U17 do të grumbullohet në kompleksin Tropikal në Durrës ku do të kryejë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjeve zyrtare. Gjashtë ndeshjet e grupit do të luhen në Shqipëri, në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena”.
Francë-Shqipëri do të luhet më datë 22 mars në “Air Albania” (11:30). Po atë ditë do të luhet edhe Letoni-Zvicër në “Elbasan Arena” (15:30). Ndeshjet e dyta luhen më 25 mars. Francë-Letoni (11:30) në “Elbasan Arena” dhe Zvicër-Shqipëri në “Air Albania” (17:00).
Ndeshjet e treta dhe të fundit do të luhen më datë 28 mars. Të dyja në ora 17:00. Shqipëri-Letoni do të luhet në “Air Albania”, ndërsa Zvicër-Francë do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.
Nëse Shqipëria U17 do të mund të kualifikohet për në finalet e Europianit U17 do të arrijë një sukses madhor për një ekip kombëtar shqiptar të moshave. Më poshtë, edhe lista me emrat e lojtarëve të ftuar në Kombëtaren U17:
Top Channel