Vjosa është tashmë Park Kombëtar dhe 12.727 hektarët e këtij lumi të egër mbrohen me ligj.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro njoftoi sot vendimin përfundimtar që e shpall lumin e Vjosës, Park Kombëtar, që është kategoria e dytë e mbrojtjes.

“Kemi sot vendimin përfundimtar që e shpallim lumin e Vjosës, lumin e fundit të egër në Evropë, Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë si Park natyror. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtjeje në 12.727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore, sipërfaqja bregore e lumit, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore, të cilat së bashku me të tre degët e lumit Vjosë: Lumi Drino, lumi Bënçë dhe lumi i Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër siç është lumi Vjosa”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro përmendi edhe punën e bërë në bashkëpunim me kompaninë “Patagonia” për të vazhduar me fazën tjetër që ka të bëjë me planin e menaxhimit dhe hartimin e masterplanit të zonës.

“Faza e dytë do të vazhdojë me hartimin e planit të menaxhimit dhe gjithë masterplanit të zonës, duke qenë se bëhet fjalë për një territor shumë të shtrirë në territorin e Shqipërisë për të parë ku mund të zhvillohen zona, ekonomi tradicionale, ekoturizëm, ku do të jenë zonat strikte dhe ku nuk do të ndërhyhet fare. Jemi në vazhdimësi të një premtimi të marrë një vit më parë dhe sot bëhet realitet në formën më të lartë ligjore”.

Top Channel