Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin për strategjinë e Bashkisë së Tiranës, ndërsa theksin e vuri tek rritja e pagave.

Teksa vlerësoi punën që është bërë për kryeqytetin, Rama përmendi rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë në muajin prill, por shtoi se synimi është që vitin 2025 paga minimale të shkojë në 45 mijë lekë.

Nga ana tjetër, Rama u bëri thirrje të gjithë bizneseve private që të reflektojnë dhe të rrisin pagat për punonjësit, veprim i cili do të frenojë largimet. Ai u bëri thirrje që të deklarojnë pagat e plota dhe jo një pjesë të pagës t’ua japin punonjësve në dorë, ndërsa pjesën tjetër në bankë.

“Besoj se është momenti më kritik në historinë e këtyre transformimeve pas daljes në rrugën e lirisë dhe të ekonomisë së tregut që të gjitha palët të bëhen bashkë. Me palë nuk kam parasysh palët politike, se bërja bashkë e tyre është mision i pamundur, dhe është jo vetëm energji e humbur por edhe kohë  e humbur. Kam parasysh si palë këtu edhe në radhë të parë të gjithë sipërmarrjen. Jemi në një fazë ku duhet të synojmë më këmbëngulje dhe kurajo rritjen e vazhdueshme të pagave. Jemi në një fazë kur duhet ta konsiderojmë këtë dhe vitet që vijnë si kohën maksimale që kemi për të kapërcyer hendekun që rrezikon të bëhet i pakapërcyeshëm. Kjo është shumë më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Është më e vështira nga të tëra, se kjo është ajo që na ballafaqon më egërsisht në mënyrë të pashmangshme mes dëshirës dhe mundësive.

Nga ana tjetër nuk është e pamundur që të bëjmë më shumë hap pas hapi dhe të synojmë me patjetër që njerëzit tanë në vendin tonë, qofshin ata në sektorin publik apo privat, të mos ndodhen të pavlerësuar, sfiduar ditë-natë nga mundi i pashpërblyer dhe nga stresi i tundimit për t’u larguar. Ne kemi detyrën dhe mundësinë që të hyjmë në një ndërveprim shumë të hapur mes të gjitha palëve për të garantuar që njerëzit në të gjitha fushat e jetës të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendi. Sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë, sepse duke shtrënguar dorën më shumë se ç’duhet dhe në vijimësi dhe duke i lënë gjithmonë të fundit ata që në fakt janë të parët fare, pagat për të punësuarit e vet, faktikisht i ka hapur vetes një gropë që nëse nuk nxiton ta mbyllim sot, do bëhet e pambyllshme edhe për disa vite, një gropë që vjen si rezultat i humbjes së kapitalit njerëzor.

Duhet të bëjë gjithçka që mundet që nivelet e pagave të cilit së fundmi janë rritur realisht, janë rritur shumë më tepër se ç’janë rritur për vite e vite me radhë në sektorin privat, të formalizohen dhe të bëhet ç’mos që të uniformizohen, që të mos jenë iniciativa sporadike të një sipërmarrësi apo të një sipërmarrësi tjetër, si rezultat i dëshpërimit nga mungesa e krahut të punës, por të jenë rezultat i një qasjeje të përbashkët, i një qasjeje kombëtarë sepse ky është një moment jashtëzakonisht delikat.

Sot ne kemi vendosur që në fund të prillit, paga minimale për të gjithë ata që jetojnë me pagë minimale të jetë 40 mijë lekë të reja ose 400 mijë lekë dhe kemi vendosur që jo vetëm kaq, por për të gjithë ato kompani në sektorin e prodhimit që kanë problematika kontratash të lidhura dhe të cilat rëndohen në mënyrë të befasishme nga kjo rritje që është e kombinuar me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Ne të paguajmë drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të atyre që marrin pagë minimale në këtë sektor dhe jo vetëm kaq, por kemi vendosur që në vitin 2025, kur objektivi i programeve elektorale të të gjitha partive në Shqipëri, e përsëris këtë jo për ndonjë arsye tjetër, por që mos na dalin na bëjnë ato që sidoqoftë ata do t’i bëjnë, ka qenë siç thashë, 38 mijë lekë maksimumi, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të diferencës, pra deri në fund të këtij viti ne do të paguajmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të diferencës nga paga aktuale tek 40 mijë lekëshi, pastaj nga 40 mijë lekëshi tek 42 apo 43 mijë lekëshi tek 45 mijë lekëshi. Kjo do të thotë që tani në javët, muajt në vijim do të kemi një rritje të përgjithshme për të garantuar që paga mesatare nuk qëndron aty ku është sepse duhet të mbajë një balancë midis minimales dhe mesatares kështu që jemi duke rishikuar tani të gjitha pagat që do të pësojnë rritjen e tyre“, tha kryeministri.

 

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA