Kos vlerëson përparimin e Shqipërisë në drejtësi: Është bërë punë e madhe në fushën e sundimit të ligjit, tani mbetet zbatimi i reformave

27/11/2026 12:59

Në fjalën përmbyllëse të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se puna e madhe e bërë për reformën në drejtësi duhet të shoqërohet tashmë me zbatimin e plotë të saj.

Kos u shpreh se ky mund të jetë një vit vendimtar për rrugëtimin europian të Shqipërisë, ndërsa nënvizoi rëndësinë e mbështetjes nga shtetet anëtare të BE-së dhe përfshirjes së opozitës e shoqërisë civile në procesin e negociatave.

“Keni bërë shumë përparim në fushën e drejtësisë. Sundimi i ligjit është në thelb të asaj që vendi ka bërë, legjislacioni mjedisor është shumë i rëndësishëm gjithashtu. Shqipëria ka bërë reformën e drejtësisë në një shkallë shumë të madhe, ajo që na duhet është që të ketë sistem të pavarur, që do të thotë reformat të vihen në zbatim siç duhen. Sa më gjithëpërfshirës të jetë procesi, aq më mirë do të jetë për qytetarët, që të kuptojnë të mirat që do të sjellin këto reforma për ta. Thashë dje që do të vij gjithmonë e më shpesh. Ky mund të jetë viti vendimtar për Shqipërinë, kryeministri tha se do të jetë viti vendimtar, që do të thotë që me gjithë mbështetjen që ka nga ne, Shqipëria do të arrijë në pikën e fundit. Ne kemi mësuar shumë nga Mali i Zi gjatë procesit, e kam fjalën për gjëra si opozita, shoqëria civile dhe shtetet anëtare. Zgjerimi nuk mund të ndodhë pa shtetet anëtare, ndaj dhe puna jonë vitin e ardhshëm nga ana e KE-së, por edhe për qeverinë shqiptare, do të jemi pranë vendeve anëtare duke ua shpjeguar atyre progresin që ka bërë Shqipëria në negociata, si dhe duke u shpjeguar përfitimet që do të ketë edhe vetë BE-ja nga anëtarësimi në tryezën evropiane”, tha komisionerja Kos.

Top Channel