Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov iu përgjigj sfidues thirrjeve të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres për zgjatjen e marrëveshjes me Moskën, e cila lejon Kievin të eksportojë drithëra përmes porteve të Detit të Zi gjatë pushtimit rus.

Ujdia 120-ditore, e ndërmjetësuar fillimisht nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e vitit të kaluar dhe e zgjatur në nëntor, do të rinovohet në 18 mars nëse asnjëra palë nuk kundërshton. Por Moska pretendon se sidomos pjesa e marrëveshjes që lidhet me të drejtën e eksportimit të fertilizuesve rusë pa kufizimet e sanksioneve perëndimore, nuk po përmbushet, e kjo sipas saj, është e pandershme.

“Klauzolat e marrëveshjes që lejon eksportin e grurit dhe fertilizuesve rusë, nuk po respektohen. Nëse pakti përmbushet vetëm përgjysmë, atëherë zgjatja e tij kthehet në një çështje mjaft të komplikuar”, tha Lavrov.

Moska rigjen kësisoj mënyrën për të ushtruar një presion të ri mbi komunitetin ndërkombëtar. Gjatë vizitës në Kiev, Guterres i mëshoi me forcë idesë se zgjatja e marrëveshjes së grurit, është e një rëndësie kyçe për sigurinë globale të ushqimit dhe çmimet e ushqimit në përgjithësi.

Ukraina është prodhuesi i shtatë më i madh i grurit në botë dhe parashikohet të jetë eksportuesi i pestë më i madh. Frika është se një bllokadë e dërgesave të grurit ukrainas tani mund të shkaktojë një rritje të re të cmimeve dhe të inflacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA