“Partitë nuk duhet ta konsiderojnë veten Zot!”/ Kreu i KQZ-së në “Top Story”: Dokumentacioni i paraqitur nga PD, në kundërshtim me kodin zgjedhor

09/03/2023 22:30

Partitë politike në Shqipëri nuk duhet ta konsiderojnë veten si Zot dhe gjykuese të çdo gjëje, u shpreh kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi sonte në “Top Story”, duke iu përgjigjur akuzave të dy grupimeve në Partinë Demokratike për vendim të njëanshëm dhe të padrejtë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Shoh gjithë këtë diskutim dhe tendencë për të anatemuar nga të gjitha anët e politikës këtë vendimmarrje. Gjithsesi, kjo ka qenë dhe do të jetë kështu. Dokumentacioni i paraqitur nga Partia Demokratike, shoqëruar kërkesën për t’u regjistruar bie në kundërshtim me kodin zgjedhor.

Kodi zgjedhor ka përcaktuar qartë se kërkesa për regjistrim duhet të shoqërohet me një deklaratë të nënshkruar nga kryetari i partisë”.

Është një dokument ekskluziv, përgjegjësi e kryetarit të partisë, thotë Celibashi.

“Nëse s’do të ishte kështu, edhe formulimi do të ishte ndryshe, nuk do të theksohej se deklarata duhet të jetë e nënshkruar nga kryetari”.

Top Channel