Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe deklaroi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës.

Argumenti i dhënë për këtë vendim ishte se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë këtë forcë politike të largohet nga institucionet e vendit.

“Kjo e bën më se të qartë se Prishtina dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës dhe Metohisë, kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës po zhvillohen pasi kryetarët e tyre që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqjen nëntorin e vitit të kaluar, në kuadër të largimit kolektiv të punonjësve të etnisë serbe nga institucionet e Kosovës.

Një hap i tillë u hodh në shenjë sfide ndaj vendimit të ekzekutivit kosovar për të kryer procesin e riregjistrimit të targave serbe në targa të Kosovës, vendim ky që më pas u pezullua me një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Një tjetër kërkesë e Listës Serbe sakaq, për t’u kthyer në institucione, është krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Misioni vëzhgues i BE-së vazhdimisht ka konkluduar në raportet e tij të zgjedhjeve se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” e se janë regjistruar edhe raste frikësimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA