Për të 17-tin vit me radhë, liria nëpër botë ka shënuar rënie, thotë Freedom House në raportin e saj më të fundit.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën, renditen në mesin e vendeve pjesërisht të lira, një kategori kjo ku përfshihen 54 nga 195 vendet e përmendura në raport. Amy Slipowitz, nga organizata Freedom House, thotë se Shqipëria nuk shënoi ndonjë ndryshim nga e kaluara.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha Slipowitz.

Kosova ndërkohë, shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e Freedom House që shkon deri në 100 pikë. Për Slipowitz, ky është një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022. Të drejtat politike janë një nga arsyet e përmirësimit.

“Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, shtoi ajo.

Raporti mbi Liritë në Botë, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë trendet globale për një gjysmë shekulli. Përmirësimet më të mëdha përgjatë 2022-shit rezulton t’i ketë pasur Kolumbia, e cila vlerësohet me +6 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA