Nga xhubleta te fustanella, ekspozita në Prishtinë për veshjeve tradicionale shqiptare: Shprehja më të bukura e trashëgimisë sonë kulturore

25/11/2026 18:13

Veshjet tradicionale shqiptare vijnë në vëmendje përmes një ekspozite të veçantë të hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Ekspozita me titull “Rikthim në traditë-Veshjet popullore të shqiptarëve” është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri dhe aktiviteteve për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, raportojnë mediat kosovare.

Në ceremoninë e hapjes, zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, vlerësoi rëndësinë e veshjeve popullore si një prej dëshmive më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Veshjet popullore janë ndër shprehjet më të bukura, më të pasura dhe më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore. Ato nuk janë thjesht pjesë e traditës së veshjes, por dëshmi të mënyrës së jetesës, zakoneve, besimeve, shijes estetike dhe krijimtarisë së brezave të kaluar”, u shpreh Xhemajli.

Ai veçoi larminë e veshjeve tradicionale në trevat shqiptare, duke përmendur për burrat fustanellën, tirqit, poturet dhe brekushet, ndërsa për gratë xhubletën, këmishat e gjata, xhokën, përparëset dhe mbështjellëset.

Sipas tij, materialet, mënyra e punimit, ornamentet dhe kombinimi i ngjyrave dëshmojnë për një traditë të pasur artizanale, e cila është përcjellë brez pas brezi, ku një rol të rëndësishëm kanë pasur gratë shqiptare.

Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij Xhemajli i kushtoi xhubletës, të cilën e cilësoi si një prej dëshmive më të rralla të mjeshtërisë tradicionale shqiptare. Ai rikujtoi se në vitin 2022, UNESCO e përfshiu atë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që ka nevojë për mbrojtje urgjente.

Top Channel