Ned Price largohet nga posti i zëdhënësit, merr detyrë tjetër në DASH

08/03/2023 08:17

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price do të largohet këtë muaj nga ky post pas më shumë se dy vjetësh dhe do të marrë një pozicion të ri pranë Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, tha vetë zoti Blinken të martën.

I kthyer prej kohësh në imazhin e Departamentit Amerikan të Shtetit, pas dy vitesh në këtë post, zëdhënësi i këtij dikasteri kyç të administratës amerikane do të lërë detyrën, për të marrë një pozicion të ri pranë shefit të diplomacisë së SHBA-së, Antony Blinken.

Ishte vetë kreu I DASH që e bëri publik lajmin. Price e bëri betimin më 20 janar 2021, pikërisht në ditën kur Joe Biden u inaugurua si president. Ai e mbajti me sukses këtë post në një periudhë mjaft të rëndësishme për politikën e jashtme të SHBA-së gjatë agresionit rus ndaj Ukrainës, si edhe tërheqjes kaotike të diplomatëve dhe personelit tjetër nga Afganistani.

Me tone të larta vlerësuese, Blinken u shpreh se Price mbajti më shumë se 200 konferenca për shtyp, duke u shndërruar në fytyrën dhe zërin e politikës së jashtme amerikane. “Ai e ndihmoi qeverinë të mbrojë dhe nxisë lirinë e shtypit në mbarë globin dhe ka dhënë shembullin e transparencës dhe sinqeritetit për të cilat ne bëjmë thirrje në vendet e tjera. Ndikimi i tij di të ndjehet në Departamentin e Shtetit për shumë kohë pasi ai të lërë detyrën” tha kryediplomati.

Në mënyrë të vecantë, Shaun Tandon, president i Shoqatës së Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, kujtoi rolin Price për rikthimin e konferencave të përditshme të shtypit dhe përballjen e tij me pyetjet e vështira të gazetarëve, si në rastin e tërheqjes nga Afganistani.

“Falë Nedit, konferenca e përditshme e shtypit duket tani rutinë dhe kështu duhet të jetë. Ajo ofron një mundësi për shtypin nga e gjithë bota që të shtrojë pyetje për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, shpesh në mënyrë kritike,”, tha Tandon, duke e përshkruar këtë si tregues i shëndetit të demokracisë amerikane.”

Top Channel