U nda nga jeta në moshën 85-vjeçare arkeologu  Fatos Tartari (1938-2023).  

Ai lindi në Durrës, ku dhe u arsimua e më pas përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1961.

Autor i shumë artikujve shkencorë në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, ai u nderua dhe me çmimin e parë ndërkombëtar “CLIO” në Paris, në vitin 2005.

Mori pjesë si partner në projektin “Glassway” me pjesëmarrjen e mjaft universiteteve dhe institucioneve kërkimore-shkencore të vendeve të Mesdheut Perëndimor, si Universiteti i Maltës, i Algjerisë, i Katalonjës në Spanjë, Milanos, Raguzës dhe Palermos, në Itali.

Fatos Tartari ishte një qytetar shumë aktiv edhe në jetën kulturore të qytetit, duke denoncuar dëmtimet e vazhdueshme të arkeologjisë në Durrës. Pjesë e lëvizjeve qytetare kundër dëmtimit të nëntokës së qytetit antik, Tartari ishte një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit.

Homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës ditën e premte datë 10.03.2023 ora 14:00-16:00.

Top Channel