Një vit pas miratimit të direktivës për strehim të përkohshëm nga Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian deklaroi se brenda kësaj periudhe mbi 4 milionë ukrainas janë vendosur në vendet e BE-së.
Publikimi i të dhënave nga KE u bë një vit pasi nisi lufta në Ukrainë, mëngjesin e 24 shkurtit.
BE-ja e miratoi këtë direktivë më 4 mars të vitit të kaluar. Sipas saj, ata që ikin nga lufta në Ukrainë nuk duhet të kërkojnë azil politik, apo t’i ndjekin procedurat e rregullta të strehimit të refugjatëve, por mund të regjistrohen menjëherë.
Gjithashtu, ata kanë qasje të menjëhershme në asistencë sociale, tregun e punës, shërbime shëndetësore dhe sistem të shkollimit.
“Përgjigja e BE-së ndaj luftës në Ukrainë edhe një herë dëshmon se çfarë mund të bëjë BE-ja kur vepron e bashkuar. Direktiva u dëshmua si instrumenti kyç për dhënien e asistencës direkete në BE dhe kjo mundësi do të duhej të mbetej si paketë e instrumenteve të BE-së edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Komisionit.
KE-ja deklaroi se mbi një milion shtetas të Ukrainës, të cilët kanë gjetur strehim në BE, kanë arritur edhe të punësohen, ku një numër i madh kanë kryer edhe trajnime të veçanta, të cilat janë financuar nga programet e BE-së për tu kualifikuar për disa vende pune.
Përmes platformës së posaçme “Solidariteti me Ukrainën”, deri më tani BE-ja ka ndarë një ndihmë financiare në vlerë prej 13.6 miliardë eurosh. Njëkohësisht është rritur bashkëpunimi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare që të ndihmohen edhe personat e zhvendosur brenda territorit të Ukrainës.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian për demokraci dhe demografi, Dubravka Shuica ka thënë se kujdes i veçantë do t’i kushtohet fëmijëve nga Ukraina.
“Kjo gjeneratë e fëmijëve të Ukrainës e ka përjetuar një vit lufte, dhune, frike, humbje, dhimbje dhe tragjedie. E tashmja dhe e ardhmja e tyre ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme. Tashmë kemi arritur shumë kur është fjala për strehimin, shkollimin dhe mbrojtjen e tyre dhe do të kujdesemi që kjo të vazhdojë”, tha ajo.
Pasi direktiva për strehim të përkohshëm mund të skadojë, Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që ta vazhdojë atë sipas nevojës, për momentin deri në vitin 2024, por më vonë me gjasë edhe deri në vitin 2025.
Ukrainasit janë strehuar nëpër të gjitha vendet e BE-së, por numri më i madh, rreth gjysma e tyre, pra dy milionë, janë strehuar në Gjermani dhe Poloni.
Top Channel