61-vjeçari që vrau aksidentalisht kolegun e tij gjatë punës në një qendër tregtare në Tiranë është arrestuar.
Sipas informacioneve, punonjësi Ledjan Dervishi, 32 vjeç është dëmtuar aksidentalisht nga një mjet pune i quajtur pirun që drejtohej nga Eduart Dauti, 61 vjeç.
Ai fillimisht është dërguar në Spitalin e Traumës dhe pas disa orësh ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.
Mësohet se 32-vjeçari ka rënë në tokë dhe kolegu e ka shtypur me mjetin, pasi nuk e ka parë.
Mbi të akuzuarin rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Njoftimi i plotë Tiranë
Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin E. D., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ky shtetas, ditën e djeshme, duke drejtuar një mjet pune (pirun) dyshohet se aksidentalisht ka dëmtuar shtetasin L. D., i cili ka humbur jetën më pas, në Spitalin e Traumës.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasin O. Zh., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka goditur me grusht, për motive të dobëta, xhaxhain e tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasen D. K., 25 vjeçe, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 1 muaj e 20 ditë burgim, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin K. T., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Medar Shtylla”, ka prishur qetësinë publike dhe ka kanosur me mjet prerës shtetasin P. Ç., 52 vjeç, banues në Tiranë (veprimet hetimore janë kryer duke u bazuar edhe në pamjet filmike të shfaqura në një video të postuar në një media online). Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi M. D., 57 vjeç, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa, mbesa e tij 15 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel