Një lajm i bukur i këtij 7 Marsi ishte “Himni i Mësuesit”, i cili për herë të parë në histori vjen si një ide nga Shkolla Artistike “Jordan Misja”, i përgatitur në bashkëpunim me kompozitorin dhe pedagogun Endri Sina, si dhe me tekstin e poetes Mimoza Bici.

Këndimi për herë të parë nga kori i nxënësve të kësaj shkolle, e shoqëruar edhe nga orkestra e harqeve dhe veglave frymore, dha një emocion të veçantë në këtë aktivitet për Mësuesin.

Himni u publikua nga Ministrja Evis Kushi e cila shkruan: “Jam shumë krenare që sot, për 7 Mars, t’ju prezantoj këtë himn, me kompozitor Endri Sinën, tekst nga poetja Mimoza Bici dhe kënduar nga kori i nxënësve të Shkollës Artistike “Jordan Misja” Tiranë. Gëzuar 7 Marsin!”

Kjo ditë festohet sot në të gjitha shkollat e vendit, me aktivitete të ndryshme në shenjë falenderimi për mësuesit. 136 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

TEKSTI I HIMNIT TË MËSUESIT

FALEMINDERIT MËSUES

(kori)

Nëse do të dish
Magjinë e duarve të tua,
Merr lapsin, shkruaj, vizato.

Nëse do të dish
Kush ndriçon mendjen tënde
Merr një libër, ulu, lexo
Kush je ti, pasionet zbulo.

Mësues ju jeni një libër i artë,
Shkallë-shkallë të ngjitemi lart,
Mësues ju jeni çelësi magjik,
Për botën plot ngjyra, plot dashuri.

Në rrugën e dijes si dielli ndriçojmë,
Në zemrat tona gjuha shqipe krenon,
Të zgjojmë dëshirat,
Të kërcejmë të këndojmë,
Faleminderit mësues,
Mirënjohje përjetë,
Për ju do dhurojmë,

( Fëmijët e vegjël, kori)

Merr lapsin,
shkruaj, vizato,
Zgjo dëshirat,
kërce, këndo,
Merr librat,
Ulu, lexo,
Botën fantazo,
Pasionet zbulo,

( Kori bashkë fëmijë të vegjël e të rritur)

Mësues, ju jeni një libër i artë,
Shkallë-shkallë të rritemi krenarë,
Mësues, ju jeni çelësi magjik,
Për botën plot ngjyra plot dashuri.

Në rrugën e dijes si dielli ndriçojmë,
Në zemrat tona gjuha shqipe krenon,
Të zgjojmë dëshirat,
Të kërcejmë, të këndojmë.
Faleminderit mësues,
mirënjohje përjetë,
për ju do dhurojmë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA