Besimi i konsumatorëve dhe biznesit në ekonomi shënoi rritje edhe gjatë shkurtit.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike muajin e kaluar shënoi vlerën 106.7, duke qëndruar thuajse në të njëjtat vlera me janarin.

Ecuria e këtij treguesi që mbeti mbi mesataren historike u diktua kryesisht nga optimizmi në sektorët si ndërtimi, tregtia e prodhimi si dhe nga rritja e besimit të konsumatorëve.

Treguesi i besimit të qytetarëve vijoi përmirësimin për të pestin muaj radhazi duke marrë në konsideratë gjendjen e përgjithshme ekonomike si dhe blerjet e mëdha përgjatë muajve të fundit. Por, në të ardhmen vlerësimet për blerje në shuma të mëdha si ajo e një makine apo banese shfaqen në rënie.

Bizneset që operojnë në sektorin e ndërtimit presin që çmimet të rriten më tej edhe në të ardhmen, ndërsa vlerësojnë pozitive ecurinë e aktivitetit të tyre si dhe të porosive. Treguesi i besimit në ndërtim u rrit ndjeshëm me 6.2 pikë përqindje në shkurt.

Rritje e besimit evidentohet edhe në degë të tjera të ekonomisë si industria e tregtia, veçanërisht sa i takon prodhimit me parashikime për rritje të porosive, ndërsa vlerësimet janë më pesimiste lidhur me punësimin.

Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve shfaqet më pesimist dhe treguesi i besimit shënoi rënie me 3.2 pikë përqindje ndikuar nga vlerësimet negative për ecurinë aktuale të biznesit dhe rënien e kërkesës. Pritjet në të ardhmen janë më pozitive për bizneset e shërbimeve në drejtim të punësimit, ndërsa sa i takon çmimeve ata presin një rënie të tyre në vijim.

Top Channel