Shefave që drejtojnë 32 shërbimet shëndetësore në spitalet e Qendrës spitalore universitare u ka skaduar mandati 4-vjeçar.

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit ende nuk kanë hapur procedurat dhe nuk ka nxjerrë rregulloren për përzgjedhjen e shefave të rinj.

Edhe pse disa prej shefave të shërbimeve mund të konsiderohen si ajka e shëndetësisë shqiptare ata nuk do të mund të rikandidojnë më pasi janë afër moshës së daljes në pension sikundër  ka shërbime aktualisht  të cilët drejtohen nga mjekë të komanduar për shkak se shefi paraardhës ka dalë në pension në mes të mandatit dhe është larguar.

Mjekë të rinj  të cilët  kanë shprehur interes të kandidojnë për shefa shërbimi  janë në pritje të procedurave që duhet të ndjekin.

Por deri më tani nuk ka ende asnjë përgjigje. Procedurat i hap Ministria e Shëndetësisë ndërkohë që procesi i zgjedhjeve kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Në zgjedhjet e para katër viteve mjekët kandidatë duhet të dorëzonin një projekt me vizionin e tyre për transformimin e shërbimit që do të donin të drejtonin por i nënshtroheshin edhe një intervistë.

Edhe pse u pretendua se u zhvilluan zgjedhje sërish pati akuza se në disa shërbime pati emërime nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjekët e rinj që duan të kandidojnë për drejtimin e 32 shërbimeve në QSUT shprehen se vonesa e shpalljes së procedurave jo vetëm i zgjat mandatin shefave ekzistues  në kundërshtim me rregulloren, por nga ana tjetër i druajnë ndonjë skenari të mundshëm, të Ministrisë së Shëndetësisë për të emëruar disa prej tyre.

Top Channel