Nga Bafta-t tek Oskar-ët, të gjithë të çmendur pas “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”

04/03/2023 17:20

Edward Berger fitoi në ceremoninë e përvitshme të çmimeve të Akademisë britanike të filmit, Bafta, çmimin e regjisorit më të mirë me përshtatjen që i bëri në ekran  njëri prej librave më ikonikë të të gjitha kohërave mbi tmerret e Luftës së Dytë Botërore, “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”.

Por ai nuk ndalet këtu. Regjisori gjerman, i nominuar për Oskar, mund te marre vlerësime të mëdha edhe në eventin më të madh të kinematografisë botërore. “Ishte koha që ta bëja këtë film”, thotë ai, “për shkak se nacionalizmi po rritet ngadalë sërish në të globin”. Sikurse rrëfen me tej, ishte e bija, Matilda që ia ktheu “dyshimet në besim” pasi i kërkoi që ta bënte medoemos një film mbi romanin e Erik Maria Remarkut, të cilin po e studionin në shkollë. Por nuk kishte menduar se do të fitonte.

“Regjisori më i mirë, nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte. Dua të them, është një film gjerman për hir të Zotit, kush voton për këtë”, u shpreh Edward Berger.

“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” u përshkrua nga vetë autori si një mënyrë e përsosur “për të rrëfyer një gjeneratë, që edhe nëse u shpëton granatave, shkatërrohet nga lufta”.

Por ai tregoi njëkohësisht edhe një anë tjetër të medaljes: tmerret të cilat u përballën edhe ata që ishin pjesë e mekanizmit të luftës nga krahu i pushtuesit, i agresorit të dënuar nga historia. Lufta e llogoreve ishte mizore edhe në krahun tjetër, mes të rinjve të dërguar drejt vdekjes nën sloganet e një propagandës indoktrinuese nacionaliste, të rinj që hyjnë në luftë me euforinë e patriotizmit vetëm për t`u përballur më pas me një realitet brutal, dhe për të kuptuar se në fakt, idetë nacionaliste që I cuan atje, ishin thjesht disa klishe për liderët e tyre, ndërsa për ata vetë, ishin dënim me vdekje.

“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” u kthye në filmin e huaj më të nominuar në historinë 76-vjeçare të çmimeve Bafta, pasi rrëmbeu 6 çmime, përfshirë dhe atë të filmit më të mirë “jo në gjuhën angleze”.

Top Channel