
Një sasi eksplozivi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një mobilieri në Arrameras të Fushë-Krujës.
Nga të dhënat paraprake mësohet se ka pasur vetëm dëme materiale, pa lëndime në njerëz. Ndërtesa është e shtetasit Bujar Caraci, dhënë me qira dhëndrit të vëllait, shtetasit Desar Çangu, 28 vjeç, nga Larushku.
“Rreth orës 20:40, në aksin rrugor kryesor “Fushë Krujë-Tiranë”, në fshatin Arrameras, në ambientet e jashtme të një ndërtese (mobileri) të marrë me qira nga shtetasi D. C., banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat vijojnë kontrollet në zonë, për kapjen e autorit/ëve”- njofton policia.
Në vendngjarje ndodhen drejtuesit vendorë të Policisë dhe grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
Top Channel