
28 viktima të aksidentit hekurudhor në Larisa janë identifikuar, ndërkohë që është prej fundit procedura dhe për 29 trupat e tjerë.
Burime nga spitali i Larisës bëjnë me dije për Top Channel se në proces janë testet ADN për mbetjet trupore të shpërndara, ndërsa shtatë kufoma janë karbonizuar tërësisht.
Prej familjarëve janë dhënë 56 mostra ADN, po kaq janë edhe personat e deklaruar të zhdukur pranë organeve policore greke.
Në spitalet e Larisës dhe Selanikut ndodhen 48 persona, 6 prej të cilëve në reanimacion në gjendje të rëndë, dy prej të cilëve janë shqiptarë. Në total 48 persona mbahen në spital, 4 prej të cilëve me shtetësi ose origjinë shqiptare.
Situata në spitalin e Larisës është e rënduar, madje për mbajtjen e trupave të viktimave është marrë me qira një kamion frigoriferik pasi nuk ka vend më në frigoriferët e këtij institucioni shëndetësor.
Ekspertët thonë se do të duhen disa ditë për të përfunduar të gjitha testet ADN për identifikimin e viktimave.
Sot pritet të përfundojë operacioni për nxjerrjen e trupave dhe mbetjeve njerëzore nga rrënojat, ndërsa operacioni për hapjen e linjës hekurudhore do të zgjasë edhe disa ditë.
Autoritetet njoftuan pezullimin e udhëtimeve të udhëtarëve me tren në linjën Athinë – Selanik, ndërsa po verifikohen të gjithë sistemet e sigurisë në linjat hekurudhore të vendit.
Top Channel