Sulmohen qendrat e azilit në Gjermani, shtohet urrejtja: Kanë sfond racist

03/03/2023 12:10

Numri i sulmeve ndaj qendrave të azilit në Gjermani është rritur ndjeshëm në Gjermani krahasuar me një vit më parë, e pohuar kjo nga ministria e brendshme në Berlin.

221 sulme kundër qendrave të azilantëve u regjistruan në 2022-shin, përfshirë këtu sulme fizike dhe dëme materiale. Kjo shifër përbën një rritje me  73% krahasuar me një vit më parë.

Autoritetet kanë regjistruar gjithashtu edhe 1248 sulme ndaj azilkërkuesve dhe refugjatëve jashtë strehimoreve. Sipas statistikave, çdo ditë sulmohen në Gjermani tre azilkërkues. Shumica e veprave kryhen nga ekstremistë të djathtë.

Ky është viti i parë që nga viti i krizës 2015, ku është shënuar një rritje e sulmeve kundër azilkërkuesve.

Si arsye për këtë konsiderohen heqja e masave kundër koronavirusit si dhe numri i lartë i ardhjes së refugjatëve. Vitin e kaluar në Gjermani erdhën dukshëm më shumë refugjatë edhe për shkak të luftës në Ukrainë.

Ekspertja për refugjatët e grupit parlamentar E Majta, Clara Bünger u shpreh mjaft e shqetësuar pas bërjes publike të shifrave.

“Refugjatët që kërkojnë siguri dhe mbrojtje këtu, ndeshen me frikën dhe pasigurinë”, tha ajo për gazetën gjermane. Bünger kujtoi trazirat e dhunshme kundër një strehimoreje të azilit në vitin 1992 në Rostock-Lichterhagen, të cilat zgjatën katër ditë duke pyetur: “Duam ne të presim derisa të përsëritet Rostock-Lichterhagen?”, u shpreh ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta