Hetim masakrës së tre grave/ Kuvendi kërkon përgjegjësit se si gjykata liroi nga burgu vrasësin serial Dan Hurta

03/03/2023 19:45

Drejtuesja e Komisionit të Ligjeve, deputetja Klotilda Bushka ka kërkuar nga shumë institucione informacione në lidhje me ngjarjen e rëndë ku humbën jetën tre gra të vrara nga i njëjti person Dan Hutra.

Kuvendi i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, informacion mbi masat e marra për verifikimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata, ku janë shqyrtuar çështje ndaj autorit të krimeve.

Dan Hurta i arrestuar në Qershor, doli para gjyqit në 8 Shkurt dhe gjykatësi Gerd Hoxha, që e ka kaluar vetingun i dha dënim për dhunën në familje, kohën e paraburgimit. Pas 8 ditësh e liroi nga burgu Dan Hurtën, një person që më parë kishte kryer vrasjen e gruas së tij, përdhunim ishte dhunues sistematik ndaj grave. Dy javë pasi doli nga burgu me vendim gjykatë Dan Hurta kreu masakrën.

Kuvendi i kërkon edhe ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, policisë, burgjeve nëse është zbatuar ligji “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”. Gjithashtu edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë se a është zbatuar detyrimi për krijimin e bazës së të dhënave për vendimet gjyqësore për raste të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.

Ndërsa Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz i kërkohet informacion nëse ka referim të dhunës në familje për autorin e krimeve në fjalë dhe masat e marra. Me precedentët e rëndë penalë që kishte Dan Hurta nuk duhet të ishte lënë i lirë nga gjykata. Ndërkohë që vendimi për lirimin e tij është zbardhur nga gjykatësi që e liroi vetëm një ditë pas masakrës në kohën kur ILD nisi inspektimin e dosjes.

Top Channel