Deripaska del kundër Putinit?/ “S’do kenë më para, socializmi s’të çon gjëkundi”

03/03/2023 12:07

Oleg Deripaska e ka kundërshtuar optimizmin publik të Vladimir Putinit, me pohime që dalin kundër rrymës në raport me ekonominë e vendit dhe mbarëvajtjen e saj, të shumë pompuar nga Kremlini.

“Duke nisur nga viti i ardhshëm, nuk do të ketë më para. Rusisë mund t’i mbarojnë fondet, mangësitë e të cilave kanë nisur të shfaqen që tani”, mësohet të ketë thënë ai që njihet si oligarku i aluminit.

“Problemet tona nuk do të përfundojnë as në 2025-sën, që për mua është pika më e afërt e mundshme e një tkurrjeje të intensitetit të konfliktit aktual”, vazhdon ai, në një referim ndaj fjalimit të mbajtur nga Putin në 21 shkurt ku i kishte drejtuar një apel oligarkëve që i kanë investuar kapitalet e tyre jashtë kufijve:

“Kthehuni në shtëpitë tuaja dhe punoni me bashkëkombasit tuaj për të ndryshuar jetën e kombit tuaj”, ishte mesazhi i tij. Deripaska thotë se as kjo nuk do të mjaftonte.

“Na duhen investitorë të huaj. Nëse nuk do të garantojmë joshjen e tregjeve tona, do të vazhdojmë të ëndërrojmë deri në 2033-shin. Mendonim se ishim një vend europian. Tani, për të paktën 25 vitet e ardhshme, do të jemi të detyruar të reflektojmë mbi të shkuarën tonë aziatike”, është shprehur ai duke mos fshehur një lloj keqardhjeje në pohimet se bursa e Moskës, më parë këmbente me dollar e euro, ndërsa tani pagesat bëhen vetëm me juanë.

Deripaska la përshtypjen sikur po kritikonte edhe rrugën që Moska i ka imponuar ekonomisë ruse pasi tha se “kapitalizmi shtetëror është rruga drejt asgjësë, e drejt kësaj të fundit con edhe kthimi drejt një forme socializmi”.

Për manjatin 55-vjeçar, themeluesi i gjigantit të aluminit ‘Rusal RUAL.MM’, është akuzuar se ka punuar dhe ish zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, për të cilin thuhet se në këtë mënyrë, shkeli sanksionet amerikane ndaj Rusisë.

Top Channel