“Shpirti”, një dosje me dy standarde! Si shpëtoi prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi nga akuzat për lidhje me trafikantët e drogës

02/03/2023 14:21

Një i penduar i drejtësisë, një dosje, dy prokurorë, dy qëndrime të ndryshme të drejtësisë shqiptare. Ndërsa prokurori Maksim Sota u arrestua për llogari të hetimeve të dosjes ‘Shpirti’, prokurori Eneid Nakuçi u promovua nga krimet e rënda të SPAK.

“Inside Story” solli të mërkurën me detaje se si rrëfimi i të penduarit të drejtësisë, Mariglen Shusha u trajtua me dy standarde në Shqipëri. Një standard u zbatua për ish-prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, që përmendet prej tij si kontakti i Robert Myftarit në sistemin e drejtësisë, ndërsa standardi tjetër u zbatua për Eneid Nakuçin.

Dyshimet se hetimet në Shqipëri në bazë të rrëfimit të Shushës janë devijuar, shtohen nga fakti që në dosjen hetimore shqiptare emri i Prokurorit Eneid Nakuçi nuk përmendet fare, pavarësisht se në dëshminë e dhënë për italianët, Mariglen Shusha e përmend si kontakt ku duhej ndërhyrë për të mundësuar transferimin e dosjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te ajo e Vlorës.

Për ta realizuar këtë transferim, sipas dëshmisë së Shuhës është kontaktuar shtetasi Ilirjan Duçkollari, njohur shkurt si Lani. Ky i fundit kishte kontakt në prokurorinë e Vlorës, me prokurorin Maksim Sota dhe me sa duket, në Vlorë e kishin më të lehtë përmes Sotës për të mbyllur dosjen.

Dosje te Krimet e Rënda ishte në dorë të prokurorit Eneid Nakuçi. Në bazë të referimit të policisë së Vlorës, prokurori i Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal numër 313 datë 11 nëntor 2015. Në datën 29 janar 2016 u regjistrua si i dyshuar emri i Robert Myftarit.

Në 25 Nëntor të vitit 2016 vendoset pushimi i hetimeve ndaj Robert Myftarit, edhe pse në gomonen e drogës ishin gjetur dokumente që e lidhnin me të. Ndërkohë, në 10 Korrik 2017 u pezullua dosja pasi nuk u arrit të identifikoheshin trafikantët. Pra, dëshmia e Mariglen Shushës përputhet plotësisht me atë që ka ndodhur në të vërtetë. Dosja u pezullua dhe hetimet ndaj Myftarit u pushuan.

Për të gjitha këto, sipas rrëfimit të Shushës, Ilirjan Duçkollari ka shpenzuar 200 mijë euro, që në rrëfim nënkuptohet se janë shuma të paguara për të korruptuar njerëzit e drejtësisë. A është mes tyre prokurori Eneid Nakuçi? Përgjigjen për këtë s’e dha as procesi i vetting-ut, ku prokurorit aktual të SPAK jo vetëm që nuk iu hap kjo dosje, por e kaloi rivlerësimin në të tre kriteret; atë të pasurisë, integritetit dhe profesionalizimit.

Top Channel