Prokuroria do dorëzojë në gjykatë Dan Hutrën për akuzat e vrasjes me paramendim të Etleva Kurtit, vrasjes për shkak të marrëdhënieve të cilësuara në dy raste të Mevlute Hysës dhe Hasime Dafkut, vrasjes të mbetur në tentativë të Elena Hysës dhe Kujtime Hysës dhe vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë të Marjana Gurakuqit.

Ndërkohë 13 ditë pasi ai kishte lënë burgun duke kryer masakrën në kryeqytet, ILD deklaron se ka nisur verifikimet për të kuptuar se cfarë ndodhi me drejtësinë nga 16 qershori 2022  kur ai u arrestua për dhunë ndaj ish bashkëjetueses deri në 16 shkurt 2023. Nëse u ngrit apo jo akuza e duhur dhe nëse u dha apo jo vendimi i duhur për këtë akuzë

Po si u lirua Dan Hutra, i konsideruar nga disa gjykata si person me rrezikshmëri shoqërore , për shkak të një krimi të 2007 ku dhe ka vrarë bashkëshorten. Mbas dhunës ndaj Elenës në qershor 2022, Dan Hutra shfaqet për herë të parë para gjykatës  në 19 janar 2023. Hutra kërkon zbutje të masës së sigurimit personal nga arrest me burg në detyrim me paraqitje, por gjykata e refuzon atë me argumentin se është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

E teksa Dan Hutra, shfaqet i penduar dhe kujton në këtë shkresë të dytë se i kishte normalizuar mardhëniet me Elenën , gjykata e shpall fajtor në këtë shkresë në datë 8 shkurt 2023. Në këtë gjykim ai refuzon të merret në pyetje dhe të japë deklarata.

Dan Hutra dënohet me një vit e gjashtë muaj burgim që i zbret nga gjykimi i shkurtuar në 1 vit burg . Për 41-vjeçarin nga Kukësi gjykata kujton sërish se ai ka rrezikshmëri, ndonëse i akuzuari paraqet një certifikatë familjare duke këmbëngulur se kishte nënën e sëmurë . I pandehuri vëren gjykata është me arsim 8 klasë, dhe nuk ka kuptim të qartë të normave  shoqërore , nuk ka persona nën përgjegjësi dhe falja që i dha bashkëjetuesja nuk merret në konsideratë

Në 16 shkurt  gjykata deklaron shuarje të dënimit për Hutrën i cili ndërkohë kishte përfituar nga gjykimi i shkurtar, e po ashtu koha që qëndroi në burg ju përllogarit si kohë para burgimi . Në të gjitha këto shkresa të fashikullit të gjykimit, vihet re se ka munguar e dëmtuara Elena Hysa, e cila më herët kishte firmosur një deklaratë pajtimi për normalizim të marrëdhënies.

Ndonëse gratë vënë në lëvizje policinë duke kërkuar arrestimin e dhunuesit, ato më pas firmosin deklarata pajtimi, sikurse ajo e Elenës që u kthye sërish kundër saj.

Top Channel