Debati për çështjen McGonigal, Rama-opozitës: Mocioni më absurd në historinë e Kuvendit! Është në raportin e CIA-s që financoheni nga rusët

02/03/2023 11:07

Kryeministri i vendit, Edi Rama e quajti mocionin me debat për çështjen McGonigal të thirrur nga opozita më absurdin në historinë e Kuvendit shqiptar.

Edhe në këtë seancë maratonë, Rama nuk i kurseu ironitë me opozitën, e cila spas kreut të qeverisë i ka bërë të gjitha të zezat kur ishte në pushtet dhe tashmë akuzojnë maxhorancën natë e ditë sapo ranë në opozitë.

Opozita vetëm përsërit vetveten në pafundësi disfatash, sipas Ramës, i cili e quan fjalorin e përdorur nga ata të ulët.

Rama: Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza kinse opozitare me një përpjekjeje të dëshpëruar për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA, i cili s’ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht? Një ish zyrtar i lartë i FBI-së, përkatësisht ish shefi i Kundër Inteligjencës amerikane në New York Charles McGonigal, akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Unë s’do të vij më këtu për këta, këtu kam ardhur sa herë të të jetë nevoja. Edhe për deputetët e shumicës të cilët sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat, më absurd në historinë e këtij kuvendi një kulm i përçarjes në formën e një marrie, të cilët do e refuzonin si një çthurje delirante. E kam menduar prej kohësh dhe e kam thënë qysh në të hyrë të vendit të ri që s’do e furnizoj me energjinë time zjarrin e përplasjes, nuk kam më asnjë dëshirë të armatosem me fjalorin e kësaj lufte, të një opozite që përsërit vetveten në pafundësinë e një rruge qorre. Fatkeqësisht janë përfshirë me zell e zjarr për shumë vite në këtë palo luftë. I ka të huajësuar njerëzit me politikën duke menduar që të gjithë ne jemi një jashtëqitje e kombit e ndarë përgjysmë. Flisni bërtisni, ulërini akuzoni shpifni kërcënoni shani ofendoni sajoni, fabrikoni hidhuni përpjetë sa të doni por nderin e përballjes bam e bum me mua nuk e keni për ta pasur. Po të doni mos u shkulni më kurrë nga udhëkryet e mua s’do më keni më palë në këtë vajin e pambarimtë të vajeve tuaja, janë kthyer në pjesë të pandarë të saj, ju jeni në rregull keni hyrë në rrugën e 10 ku më keni rrëzuar, më keni detyruar të arratisem 100 herë, ato protesta me 200 njerëz 100 herë.

Kryeministri theksoi se Partia Demokratike është financuar nga rusët për të shkaktuar destabilizim dhe kjo është dokumentuar në raportin e CIA-s.

Rama: Këtu do ndaloj pak se kjo është e rëndësishme. Këtu bëhet fjalë për informacionin që aktakuza thotë se personi A ka marrë nga zyra ime lidhur me skandalin e financimit rus të Partisë Demokratike. Koha së cilës i referohet ky moment përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, dëgjojeni mirë këtë se është shumë e rëndësishme, duhet ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët edhe demokratët, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim të fshehura? Për çfarë, për të mbrojtur Lulin? Apo për të mbrojtur tutorin e Lulit, se Luli nuk i merrte vetë paratë ruse, lërë se ç’thotë tutori që nuk dija gjë.

Nga ana tjetër, e kam thënë dhe e përsëris, që po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare.

Problem për vendin do ishte e kundërta, që unë të kisha informacion që rusët hidhnin para për birra dhe këndimin e himnit tek çadra poshtë dritares sime për të rrëzuar qeverinë dhe të mos tregoja.

Tani, më falni por sinqerisht unë nuk e kuptoj mirë se ku doni të dilni me këtë, se dëgjova që dhe ai, artisti Lulzim ishte zgjuar një çast nga gjumi i dimrit dhe kishte bërtitur “Doli e vërteta”.

Cila e vërtetë doli? Që paratë i kanë dhënë 500 fantazma shqiptaro-amerikane në diasporë për të shembur komunizmin në Shqipëri me çadrën dhe rusët i kam shpikur unë? I kam shpikur unë përmes një informacioni disinformues që përmes dikujt nga zyra ime i është dhënë personit A nga Tropoja, i cili ia kaluar personit C nga New York-u, që nga ana e tij ia kaluar Departamentit të Drejtësisë Amerikane, përmes të cilit i është kaluar drejtuesve të FBI-së, të cilët ia kanë kaluar pastaj të zbardhur CIA-s, e cila e ka publikuar në raportin e saj se Partia Demokratike, së bashku me një parti tjetër në Maqedoninë e Veriut, një parti tjetër në Mal të Zi, një parti tjetër në Bosnje financohen nga paratë ruse për të destabilizuar. Është në raportin e CIA-s.

Kjo është e vërteta që doli sipas jush apo edhe rusin që e ka emrin të shënuar dhe mbiemrin të shënuar në regjistrat e thesarit amerikan, si i paguar, e ka deklaruar vetë, “Kam paguar për të ndihmuar PD-në”. E shpika unë atë te studio e qeramikave të shtunën kur ju ishit në revolucion me 100 mijë veta dhe unë isha fshehur aty e unë po bëja një matrioshkë ruse me dinamit brenda dhe e nisa në Washington që me telekomandën time ta hedhë në erë?

Në fund të fjalës së tij, kryeministri ftoi opozitën në zgjedhjet lokale të 14 majit duke ironizuar se do ta mundin maxhorancën siç kanë bërë këto nëntë vite.

“Ju presim në 14 maj për të na mundur më keq se ç’na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve, suksese në jetë dhe deri atëherë, kujdes se byrektorja vazhdon punën, gjiza ka arritur dhe okllai po shtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur”, tha Rama.

Pasi përfundoi fjalën, Rama u largua nga seanca e  kuvendit, cila pritet të zgjasë 24 orë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama ne seancen e sotme parlamentare – 2 mars

FOTO GALERI
10/57

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA