Mariglen Shusha, i konsideruar si një prej organizatorëve të trafikut gjatë operacionit “Shefi”, pranoi të bashkëpunonte me autoritetet në Itali. Ishte ky personazh që zbuloi bashkëpunimin me oficerë policie dhe prokurorë, lidhje të cilat do ti zbërthejmë pak më poshtë me prova të papublikuara më parë.
Marigleni zbuloi se organizata e përbërë nga disa grupe, kryesohej nga Ilirian Duçellari alias Zaimi, banues në Vlorë. Në këtë grup ka pasur një rol të rëndësishëm vetë i penduari Mariglen Shusha. Ai grumbullonte drogë në Shqipëri dhe e niste drejt Italisë ku e priste vëllai i Lani Duçellarit.
Lënda është mbledhur gjatë muajit shtator 2015 në shtëpinë e shtetasit Julian Bejdollari pranë pyllit të Sodës Vlorë. Shtetasi Aurel Kalari ka qenë personi përgjegjës për këqyrjen e lëndës narkotike, e cila ndodhej në shtëpinë e Julianit.
Për transportin e lëndës narkotike shtetasi Lani Duçellari i ka dhënë shtetasit Mariglen Shusha 3000 euro dhe ky i fundit ka shkuar në Itali, ku në Bari do të priste lëndën e cila do të ishte trafikuar në rrugë detare nga anëtarë të tjerë të grupit kriminal të kryesuar nga shtetasi Lani Duçellari.
Mjeti lundrues që dyshohet se transportonte drogën ishte blerë nga Lani Duçellari në vitin 2014 nga një shtetas italian në Bari.
Fillimisht u regjistrua në emër te Elton Hamza e më pas kaloi në pronësi të Robert Myftarit, bashkëpunëtor i afërt i Lanit. Me këtë mjet lundrues Duçellari kishte trafikuar tonelata kanabisi. Në dëshmi Mariglen Shusha zbulon se ai së bashku me Duçellarin kishin shkuar pranë vendit ku ishte sekuestruar droga, të pashqetësuar nga policia lokale.
Skafisti Robert Myftari u arrestua më vonë por shumë shpejt u la i lirë. Kapoja i grupit Lani Duçellari, ka paguar të gjitha shpenzimet për familjen e Robert Myftarit, si dhe për avokatin siç zbulohet në dosjen hetimore.
Paratë që Lani Duçellari dhe grupi kriminal që ai drejtonte i bënin nga aktivitetet kriminale, pastroheshin nëpërmjet kompanisë dhe fabrikës në pronësi të Lani Duçellari dhe bashkëshortes së tij, Elisabeta Duçellari. Përveç kësaj, Lani Duçellari me paratë që Mariglen Shusha, bashkëpuntori që zgjodhi të flasë, kishte sjellë nga Italia, kishte blerë një lokal dhe një Range Rover.
Interesant është fakti se furgoni i sekuestruar me lëndën narkotike iu kthye shtetasit Alban Koshi, një prej anëtarëve të grupit të trafikut. Ai pretendonte se ia kishin vjedhur mjetin dhe nuk kishte lidhje me drogën. Pas ngjarjes, edhe gomonia i është kthyer Robert Myftarit. Më pas, i është shitur në mënyrë fiktive familjes së Lani Duçellarit. Në fakt, mjeti lundrues i përkiste ‘de fakto’ pikërisht Duçellarit. Autoritetet jo vetëm dështuan të zbulojnë në momentet e para trafikantët, por, ironikisht u detyruan edhe tu kthejnë mjetet e trafikut.
“Evolucionet janë ndjekur mbi të gjitha në hetimet që kemi me kolegët shqiptarë me të cilët kemi mjaft skuadra investigimi të përbashkëta ku kërkojmë të ndjekim ngarkesat para se të arrijnë në Itali”u shpreh Francesco Giannett, prokuror i antimafias.
Në përfundim të hetimeve për operacionin “SHEFI”, që parapriu operacionin “Shpirti”, në mars të vitit 2018 u arrestuan shtetasit shqiptarë Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. Të dy këta shtetas njihen si skafistë të grupeve në episode të shumta. Seferi u dënua me 18 vjet e 10 muaj, ndërsa shtetasi Ferhat Ajdini me 19 vjet burg.
Top Channel