“Një burrë i pashëm korean”, bosi tajlandez i drogës ndryshoi identitet për t’i shpëtuar dënimit

27/02/2023 17:49

Një tregtar droge tajlandez iu nënshtrua disa operacioneve plastike në fytyrë për t’u dukur si “një burrë i pashëm korean” dhe për t’iu shmangur dënimit, thanë autoritetet lokale.

Saharat Sawangjaeng, i cili ndryshoi edhe emrin e tij në Seong Jimin, u kap javën e kaluar në një godinë në Bangkok.

Policia, e cila kishte tre muaj në kërkim të 25-vjeçarit, tha se asgjë nga fytyra e tij origjinale nuk kishte mbetur. Ata e gjetën atë duke gjurmuar shpërndarjen e ekstazisë tek shitësit dhe blerësit e tjerë në Bangkok.

Dëshmitarët e përshkruan atë si një “burrë të pashëm korean” për policinë. Në një video të siguruar nga policia, Saharat tha se donte të transferohej në Korenë e Jugut: “Dua të filloj një jetë të re. Jam mërzitur nga Tajlanda”.

Saharat është akuzuar për import të paligjshëm të lëndëve narkotike. Ai pranoi se kishte porositur MDMA – e njohur gjithashtu si ekstazi – përmes rrjetit të errët duke përdorur kriptovaluta, tha policia javën e kaluar.

Në vitet e mëparshme ishte arrestuar në të paktën tre raste. Një herë ai u ndalua me një akuzë për sulm dhe policia gjeti në zotërim 290 pilula ekstazi dhe 2 kg lëndë narkotike në formë të lëngshme.

Por ai arriti t’i shpëtonte paraburgimit dhe në një moment iu nënshtrua procedurave të gjera kirurgjikale për t’iu shmangur hetuesve.

Gjenerali i Policisë Tajlandeze Theeradej Thammasutee e përshkroi atë si “një nga shkaqet kryesore të epidemisë MDMA të Bangkok”, raportoi The Straits Times.

“Ai është një bos droge që importon MDMA nga Evropa, vetëm 25 vjeç. Ne besojmë se ka më shumë të dyshuar në vendet e huaja. Ne do të vazhdojmë hetimin tonë,” tha Thammasutee.

Top Channel