Në Shqipëri diaspora dërgoi rreth 1.13 mld euro në vitin 2021 sipas shifrave të Eurostat.

Eurostat tregon se vendi ynë ka varësinë më të madhe në kontinent dhe rajon nga remitancat, që arrijnë në 6.7% të PBB-së. Mali I zi vjen pas nesh me 6.1%. Duke vërejtur më tej të dhënat shihet se shumat më të mëdha të parave janë dërguar nga emigrantët shqiptarë në Itali, që vazhdon të kryesojë në listë.

Janë rreth 279 milion euro të dërguara nga fqinji përtej Adriatikut, ndërkohë pas saj vjen nga Mbretëria e Bashkuar me 206 milion euro. Nga 2017 është rritur me 11 milion euro shuma e parave të dërguara nga ishulli, ndërsa gjithnjë e më shumë shqiptarët emigrojnë drejt këtij destinacioni.

Në vendin e tretë për dërgimin e parave është Gjermania me plot 172.8 milion euro, e cila ka rritje me 70%. Në 2017-ën nga ky vend dërgoheshin 100 milion euro.

Në vendin e katërt për paratë e dërguara qëndron Greqia me 172.3 milion euro. Edhe pse vitet e fundit ky vend preferohet më pak për emigrim, sërish dërgesat vijnë me rritje nga 2017, ku niveli qëndronte në 90 milionë euro.

Në total nga 27 vendet e BE janë dërguar 744.6 milion euro, ndërsa tashmë përveç se para për konsum në familje, diaspora po investon edhe në pasuri të paluajtshme.

Gjithashtu që pas fillimit të pandemisë gjithmonë e më shumë po dërgohen para nëpërmejt kanaleve zyrtare, që ka rritur konsiderueshëm vlerën e parave që dërgohen në vend.

Top Channel