Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues prej gjithsej 40 vjetësh burgim për katër të akuzuarit për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Sipas gjykatës, i akuzuari E.R është dënuar me 15 vjet burgim, pasi është gjetur fajtor për veprën “dhunim”.

I mituri XH.S është dënuar me tetë vjet burgim për veprën penale “dhunim” dhe “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”. Për akuza të njëjta është gjetur fajtor edhe i mituri G.R dhe është dënuar me nëntë vjet burgim, ndërkaq i mituri tjetër, G.J me tetë vjet burgim.

Ndërkaq, gjykata tha se ka liruar nga vepra penale “shërbime seksuale të viktimës së trafikimit” të akuzuarin me inicialet SH.K.

“Gjykata nuk ka gjetur që e dëmtuara të ketë qenë e trafikuar apo viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz”, u tha në njoftim.

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares u bë publik gushtin e vitit të kaluar. Autoritetet atëbotë thanë se ajo dyshohej se ishte përdhunuar në një park të Prishtinës.

Po ashtu, e mitura dyshohet se ka qenë cak i dhunës seksuale edhe në qershor të vitit 2022. Për ngjarjen e qershorit, autoritetet kanë ngritur aktakuzë ndaj tetë personave.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës më 24 shkurt nuk bëhet e ditur se për cilin rast është shqiptuar ky aktgjykim dënues.

Rasti i dhunimit të kësaj të miture nxiti reagime në mesin e shoqërisë në Kosovë, me ç’rast janë mbajtur protesta ku është kërkuar “dënim meritor” për të dyshuarit.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit raportohen dhjetëra raste të dhunës seksuale.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA