Fshati Gjorm pa rrugë e me tension të ulët si dritë qiriu/ OSHEE Kurbin: Gati projekti, bashkia nuk përgjigjet

24/02/2023 20:45

Banorët e fshati Fushë Gjormë të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin prej 20 vjetësh vuajnë nga tensioni i ulët dhe  rruga e pashtruar.

Rreth 100 familje të këtij fshati pohuan për Fiks Fare se prej dy dekadash luten të mos fryjë erë e fortë apo të bjerë shi, ndryshe ngelen në errësirë. Energjia elektrike ndërpriten, por edhe kur ka ai pak tension që u vetë në shtëpi në shumë raste  ka bërë që banorëve t’u prishen pajisjet elektroshtëpiake.

Rrjeti në këtë fshat sipas banorëve është shtruar në 1994 ku asokohe çdo familje ka paguar nga 30 mijë lekë të reja në shtrimin e tij. Sot ata pohojnë se i vetmi investim që është bërë për përmirësimin e rrjetit është një investim i pallogaritshëm nga shteti prej 20 mijë lekësh të rinj. Pra shumë herë më pak se sa kanë paguar vetë banorët para 20 vitesh.

Ata tregojnë për fiksin se transformatorin dhe shtyllat i kanë blerë vetë. Shteti u ka vënë telat dhe kabinën elektrike. Ata janë ankuar gojarisht në OSHEE  por  jo ankesë me shkrim.

Fiksi u interesua tek zyrat e OSHEE Kurbin. Drejtori i njësisë Erjon Marku pohon se i di ankesat e banorëve të Fushë Gjormit, madje i ka pritur personalisht në zyrë dhe u ka shpjeguar se si qëndron situata. Ai shprehet se projekti është gati, por janë në pritje të miratimit të tij. Miratimi në Drejtorinë Rajonale Burrel është bërë, pritet dhe miratimi nga drejtoria e përgjithshme. Në bazë të këtij projekti do bëhen kabina të reja elektrike  si dhe rrjet me ABC që nuk është bërë më përpara. Pyetjes së gazetarëve se kur mund të ndodhi kjo, drejtori iu përgjigj për një afat prej 3-4 muajsh.

Por tensioni i ulët nuk është i vetëm problem që këta banorë ka.  Rruga që i lidh me autostradën është e pashtruar dhe plot gropa. Edhe pse Fiksi e ka trajtuar edhe më parë këtë shqetësim, asokohe nga bashkia vetëm u shtrua çakull. Gjë që nuk zgjati shumë dhe rruga sërish është katandisur  po njësoj. Bëhet fjalë për një rrugë 5 km e cila në 30 – 40 vite thonë banorët nuk ka patur investim. “Vjet që e transmetoi Fiksi erdhi bashkia i hodhi një gisht çakull, tani do duken për fushatë zgjedhore prapë e të bëjnë gjasme sikur mbushin ndonjë grop” shprehet një prej banorëve.

Fiksi u interesua në bashki edhe për këtë problem, por që gazetarët nuk i priti njeri por u thanë që të depozitonin kërkesën e tyre dhe do t’u përgjigjeshin zyrtarisht. Por deri më sot kjo përgjigje nuk ka mbërritur në redaksinë e emisionit Fiks Fare.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA