Pas dy viteve me tkurrje të fortë ekonomike gjatë tërmetit dhe pandemisë, ku qeveria rriti borxhin publik në nivelin rekord 74.5%, treguesi mori një kthesë të papritur në vitin 2022.

Pas 27 vitesh, borxhi publik u ul me 6%, duke arritur në nivelin 66.79% edhe pse stoku i borxhit në vlerë u rrit. Për ekspertët në uljen e treguesit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ndikuan disa faktorë

“Kontribuesi i parë në rënien e borxhit publik kështu rritja e ndjeshme e të ardhurave që erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve. Qeveria në vend që këto para tua rikthente qytetarëve, një pjesë të mirë e dërgoi për uljen e borxhit. Nga ana tjetër si përbëhet borxhi. 50% e saj është në valutë, në momentin kur monedha vendase është forcuar, atëherë gati 2% e borxhit është ulur vetëm nga ndryshimi i normës së këmbimit. Faktori i tretë, borxhi është një vlerë që llogaritet mbi një vlerë nominale si GDP ku përfshihet dhe inflacioni që fryu GDP-në. Duke qenë se baza është më e lartë, atëherë raporti ulet”, shpjegon Klodian Muço.

Sipas ekspertëve qeveria i ka të gjitha mundësitë që të arrijë objektivin e uljes së borxhit në 64.2% deri në 2026-ën

Kemi luksin që jemi një vend me evazion të lartë fiskal. Rekordi që arritëm duke mbledhur të ardhura në nivelin 28.2% të PBB mund ta dërgojmë në 30% apo 36% sa mesatarja e rajonit. Mjaftojmë të ulim evazionin dhe borxhi do të ulet në mënyrë natyrale”.

Me rritjen e interesave nga bankat qendrore nëpër botë, qeveria sipas ekspertëve duhet të ketë nën kontroll edhe koston e borxhit:

“Është e vështirë që të kursesh dhe të mbështetesh te borxhi publik për rritjen ekonomike, sepse kur rritet kostoja e borxhit publik i bën ineficente investimet e borxhit. Kështu që në të ardhmen qeveria do gjendet në një situatë që do ta ketë të vështirë të marrë borxh publik, sepse kostot do të jenë shumë të larta”.                  

Top Channel